1 vit pas kapjes së 3.4 mln eurove në Toyota Yaris’, parave iu del pronari! Dëshmia ‘fals’ e gjermanit që ndryshoi rrjedhën e hetimeve! ‘Bashkëpunimi’ Prokurori-Gjykatë çoi ‘fundin’ e dosjes

0
165

1 vit pas kapjes së 3.4 mln euro në ‘Toyota Yaris’, parave u del pronari.

Ai është një shtetas gjerman i quajtur Carlo Rizzatto cili thotë se ato para i kishte planifikuar për të bërë biznes në Shqipëri dhe ia kishte besuar këtë shumë Elvis Vladit.

Lidhja mes tyre është e paqartë, por kjo deklaratë e gjermanit, shërbeu për të shënuar një pikë kthese në hetimet, ku në fund akuza e ngritur ishte “mosdeklarimi i të të hollave në kufi” ndërkohë që akuza fillestare ka qenë “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Çështja e nisur me bujë të madhe, ajo e ‘Toyota Yaris’ e që shërbeu për të ndezur politikën shqiptare, është sfumuar në gjykim në një “bashkëpunim” mes prokurorisë dhe gjykatës, mes të dyja palëve që janë mjaftuar me deklarimet e personave të përfshirë në ngjarje, pa kryer hetimet e nevojshme. Ishte një deklaratë e Lulzim Bashës në Parlament, dy ditë para (21 qershor 2018) se të bllokoheshin në portin e Durrësit automjetet që vinin nga Belgjika, në të cilat ishte fshehur shuma prej 3.4 milionë eurosh. Lulzim Basha drejtoi gishtin nga Taulant Balla, mirëpo pronari i kësaj shume parash “nxori kokën” 1 vit pas kapjes së parave.

Bëhet fjalë për një qytetar gjerman, i quajtur Carlo Rizzatto “erdhi nga hiçi” në 13 mars të 2019 në Shqipëri me pretendimin se ishte pronar i 3.4 mln eurove të kapura në makinën ‘Toyota Yaris’, me të cilat kishte planifikuar blerjen e një sipërfaqeje toke në bregdetin shqiptar dhe të “deleguar” në Shqipëri kishte zgjedhur Elvis Vladin. Pse pikërisht Vladi? Kjo është një pyetje e cila nuk ka marrë një përgjigje në dosjen hetimore apo detaje të tjera që mund të ndihmojnë për të kuptuar lidhjen mes tyre si dhe zanafillat se si u takuan për të bërë biznes Carlo Rizzatto, një shtetas gjerman dhe Elvis Vladi, një 39 vjeçar me origjinë nga Kalaja e Dodës, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh të përfshirë në shpërndarje droge në Londrën veriore, por që më pas u shpall i pafajshëm për këtë akuzë.

Në bazë të dokumenteve që sjella nga Belgjika dhe Gjermania, shtete në të cilat u shtrinë hetimet, si edhe bisedave telefonike të përgjuara, emri i gjermanit Carlo Rizzatto nuk rezultoi askund, mirëpo ky i fundit ka këmbëngulur që paratë janë të tijat si kursime të bëra ndër vite, për të cilat ka dorëzuar edhe një statement bankar. Ai deklaroi se këto para “janë të pastra” që kishin rrjedhur nga biznesi i tij i përpunimit të arit dhe metaleve të çmuara në Gjermani, dhe ia kishte besuar Vladit që t’i investonte ato në Shqipëri. Nisur nga kjo, Vladi u shfajësua duke thënë se “gabimi” i tij i vetëm është se nuk i kishte deklaruar në kufi këto para. Ka mjaftuar kjo dëshmi, që kjo çështje të shkojë drejt fundit, me hetime që nuk janë kryer dhe pyetje që kanë mbetur ende dhe sot pa përgjigje.

Kush është Carlo Rizzatto, a mundet ai që me këtë biznes të justifikojë 3.4 mln euro të kursyera, lidhja e tij me Shqipërinë, pse u paraqit 1 vit pas kapjes për paratë që pretendon se janë të tij dhe jo menjëherë kur kjo sasi e madhe lekësh u kap nga autoritetet, këto dhe disa pyetje nuk u zbardhën nga hetuesit, që të bëjnë të dyshosh se bëhet fjalën për një dëshmitar fals i përdorur nga personat që qëndrojnë realisht pas 3.4 mln euro.

Gjyqtari i çështjes, Fran Prendi vendosi të kthejë aktet për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasi nuk ka prova mjaftueshëm, teksa përfaqësuesit e Prokurorisë i konsideruan të gabuara dhe të pasakta akuzat e ngritura më parë prej tyre dhe nga akuza fillestare “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” përfundoi në “mosdeklarimit të të hollave në kufi”, e dënuar deri në 2 vjet burg.

Në zbatim të ligjit Anti-mafia SPAK i kërkoi gjykatës të konfiskojë për llogari të shtetit 3.4 milionë eurot e sekuestruara në Durrës në operacionin ‘Toyota Yaris’, mirëpo deri më tani nuk ka asnjë hap konkret.