10 jetë të humbura për tri ditë, kronika e zezë e një fundjave Gushti

0
39

Këtë të shtunë, në mëngjes, një 25 vjeçar u gjet i vrarë nga kalimtarët e rastit në Babicë të Vlorës. Xhuljano Bullari, me origjinë nga Elbasani dhe me banim në Tiranë ishte brenda makinës së kushërirës së vet kur u zbulua në orët e para të mëngjesit. Autorët kishin lëshuar tre plumba, njëri prej të cilëve në kokën e viktimës. Viktima ishte me precedent penalë, kishte bërë dy vjet burg për futjen e paligjshme të emigrantëve sirianë në territorin shqiptar. Vrasja sipas ekspertëve ishte kryer një natë më parë (rreth orës 21.00 të një dite më parë) dhe deri tani është pa autor. Dyshohet se është nxjerrë në pritë nga njerëz të njohur të vet. Babai i viktimës e mori vesh emrin e të vrarit në transmetim live në Televizion dhe u lëshua në të qara e të bërtitura.

Dy makina u aksidentuan rëndë në aksin e famshëm Fier –Levan. Makinat ishin njëra me targa të Kosovës ndërsa tjetra me targa të Korçës dhe u shkatërruan plotësisht. Tri gra, u dëmtuan rëndë, dy prej të cilave ishin nënë e bijë nga Kosova. Të plagosurat u shtruan në Spitalin e Fierit.

E diela nisi me një lajm të trishtë nga Greqia. Një djalë i moshës 9-10 vjeç, duke lozur me kalamanjtë diku afër shtëpisë së vet bie në kontakt me energjinë elektrike dhe humb jetën.

Dy pushues të moshuar nga Maqedonia e Veriut, në plazhin e Spillesë – Kavajë, mbyten në det. Shkak ishin dallgët e shumta por edhe mungesa e rojës bregdetare. Ngjarja ndodhi midis orës 11.00 dhe 12.00.

Në të njëjtën kohë por 200 km më larg, në Velipojë të Shkodrës mbytet në det Hasan Hysenaj nga Kosova. Mosha 59 vjeç. Shkak përsëri dallgët e shumta dhe mungesa e rojes bregdetare.

Tri orë më vonë, rreth orës 14.00, në rrugën e Marinzës –Fier, një makinë del nga rruga dhe bie në kanal. Makina u gjet me GPS pasi askush nuk e kishte parë momentin e aksidentit. Viktimat e këtij aksidenti ishin Shkëlqim Begaj 54 vjeç dhe Elior Lagaj 36 vjeç, punonjës të një komanie sigurie.

Pas festimeve të pelegrinazhit në malin e Tomorit –Berat gjatë kthimit. një makinë me dy të rinj bie nga ura në humnerë. Fati është me ta, mrekullia i shpëton…

Një tragjedi tjetër shmanget në Spille. Një çift i ri shpëtohet nga mbytja nga roja bregdetare Festim Sula. Ngjarja ndodh sërish në Spille të Kavajës.

Një makinë tip Benz humb kontrollin në qytetin e Beratit dhe përfundon në brendësi të një dyqani. Katër kalimtarë të rastit që po ecnin në trotuar dëmtohen rëndë, njëri prej tyre humb jetën. Viktima quhet Leonard Rrapi dhe ishte 30 vjeç.

Të plagosur janë Abaz Kaballi, 60-vjeç, Astrit Veliu, 23-vjeç, Tahir Redhi, 30-vjeç dhe Robert Sadikaj të cilët sapo ishin kthyer nga pelegrinazhi në malin e Tomorrit dhe po bënin një xhiro në Berat në momentin që u përplasën.

Në Spitalin e Ferizajt një makinë me dy të rinj dorëzojnë trupin pajetë të një 18 vjeçareje. Ishte Marigona Osmani, bashkëshortja e njërit prej tyre, e rrahur për vdekje. Ngjarja pati jehonë të madhe në të gjithë hapësirën shqipfolëse. Kriminelët janë arrestuar.

Dje rreth orës 22.00 të mbrëmjes, në qendër të qytetit të Lushnjës, në një kafene plot me njerëz mes të cilëve plot gra e fëmijë, nga një makinë në lëvizje qëllohet me breshëri të zgjatura kallashnikovi. Mbetet i vrarë pronari i kafenesë Bledar Muça dhe plagosën 4 klientë të lokalit. Atentati ishte terrorizues për të gjithë. Ora, vendi dhe mënyra e zgjedhur për të vrarë ishte terroriste…

Në përfundim të këtyre tri ditëve, humbën jetën për arsye jonatyrale një fëmijë 10 vjeç (Greqi, korent), Marigona Osmani 18 vjeçare në Ferizaj ( vrasje, masakrim), Xhuljano Bullari 25 vjeç (Vlorë, atentat), i riu 30 vjeçar Leonard Rrapi (kalimtar, aksident Berat) Shkëlqim Begaj (54 vjeç) dhe Elior Lagaj (39 vjeç) në Marinzë (aksident automobilistik), Hasan Hysenaj nga Kosova u mbyt në Velipojë (59 vjeç), dy të moshuar nga Maqedonia e Veriut të moshës mbi 70 vjeç u mbytën në Spilled he mbrëmë, i fundit, Bledar Muça, 34 vjeç i vrarë në atentat mafioz. Pra 10 jetë të humbura nga krimi ose aksidenti.