ADS
HomeLajme10 vite në rrugët e qytetit, rrëfimi i gazetashitësit në Pogradec: E...

10 vite në rrugët e qytetit, rrëfimi i gazetashitësit në Pogradec: E bëj me dëshirë punën, por edhe dua të iki jashtë shtetit

10 vite më parë, gazeta mbetej ende një medium që lexohej nga një numër i madh shqiptarësh. Por me hyrjen e telefonave ‘smart’ e masivizimit të qasjes në internet, gazeta ia la vendin medias online.

E si është sot të shesës gazeta, në kohën kur informacioni gëlon online kudo, nëpër celularët e shqiptarëve?

Iliri është një nga ata që si punë të përditshme ka shpërndarjen e gazetave. Çohet përditë në orët e para të mëngjesit dhe nis të rrugëtojë nëpër qytet, duke shpërndarë gazeta në lokale, rrugë e kudo ku kërkohet. Një njeri i sjellshëm, Iliri tregon se këtë punë e ka bën me qejf e dashuri.

-Nuk e ke problem që e bën këtë punë?

“Jo nuk e kam aspak. E bëj me qejf e dëshirë. Është edhe si forcë sportive që lëviz në mëngjes. Është punë e thjeshtë, por unë ngrihem në pikë të sabahut, në 5 të mëngjesit e shëtis qytetin.”-thotë Iliri në një prononcim për A2.

Por sërish kjo punë nuk të fal të ardhura të mjaftueshme. Iliri shpesh e mendon të largohet jashtë vendit për një të ardhme e punë më të mirë. Ai ka punuar për afro 10 vite si gazetashitës.

“Edhe diku jashtë dua të iki, por edhe këtu është dëshira, kam prindërit, shokët të gjithë. Por kur mendon për një jetë më të mirë, dëshira është për t’u larguar. Unë di dy tre gjuhë të huaja, nuk i zotëroj por i flas, i kuptoj. Di spanjisht, italisht e greqisht.”-thotë Iliri.

E mbase derisa mundësia t’i jepet për t’u larguar drejt një të ardhme më të mirë, Iliri thotë se do të shpërndajë gazetat, një punë që e bën pa asnjë droje dhe me dëshirë.

Must Read