20 vite në një kolibe – Si u harrua në mes të Tiranës familja e varfër

0
38

Në një prej zonave më të mëdha në Tiranë, në “Don Bosko”, ngjitur me një vilë dykatëshe, një kolibe e fshehur në oborrin e saj , deri një vit më parë, ishte streha ku jetonte Lindita Heta dhe familja e saj.

Bashkëshorti Faiku, kishte ardhur nga fshatrat e Devollit pas viteve ’90, për të kërkuar dicka më të mirë se çfarë i ofronte jeta në fshat.

Fqinjët e tij thonë për gazetën “Si” se Faiku vuante nga probleme të lehta mendore, por përpiqej të gjente punë për të mbajtur veten ndërsa për tu strehuar kishte gjetur një strehë tek bashkëfshatarët e tij që kishin ndërtuar shtëpi në zonën e “Don Boskos” por që nuk jetonin aty.


Faiku kujdesej për pasurinë e tyre dhe ata në këmbim i kishin “dhuruar” një hapësirë brenda saj ku qëndroi për vite me radhë.

Në vitet 2000 pas martesës me Linditën, çifti i ri strehohet në një pseudoshtëpi, dhuruar nga vëllai i saj i cili e ndërtoi në shpejtësi pa u diktuar prej pushtetit vendor, dhe për 19 vjet me radhë në këtë kolibe jetuan ata të tre, burrë e grua dhe vajza e tyre e vetme.

Sot, Faiku nuk jeton më. Ai mbylli sytë vitin e kaluar në moshën 60 vjeç si pasojë e shumë sëmundjeve nga të cilat u prek gjatë këtyre viteve.

Lindita tregon se në këto 20 vjet martesë në derën e saj nuk trokiti asnjë edhe pse ata kanë një adresë të saktë në listat elektorale.

“Ne jemi të regjistruar si banorë të njësisë bashkiake nr.9. Kur vajzën e kishim të vogël akoma, Faiku kërkoi ndihmën e kryeplakut të lagjes ku jetojmë, për t’i gjetur punë ose të merrnim ndihmë nga shteti. Ata i kërkonin një dokument tek zyra e Punës që ai nuk ishte i punësuar por Faiku shkonte shpesh e kthehej duarbosh sepse gjithnjë e përcillnin. Ai u lodh dhe nuk shkoi më kurrë në zyrat e minibashkisë”, tregon Lindita.

Kur e pyet se si ja kanë dalë të jetojnë në këto kushte, në një dhomë të vetme ku flinin të tre dhe si derë shërbente një perde, ajo thotë se në lagje ka dëshmitarë fqinjët që I kanë parë të jetojnë për vite me radhë këtu.

“Këtu kam jetuar, era frynte sa nga dritarja e sa nga dera por nuk kishim ku të shkonim. Vëllai im s’kishte mundësi më shumë, Faiku punonte me ditë si hamall apo çirak në lagje ku të kishin nevojë për të. Sapo u rrit pak vajza unë nisa të kërkoja punë nëpër lokalet e lagjes si pastruese”, thotë Lindita.

Por duket se pushteti kujtohej për të vetëm kur vinin zgjedhjet. E kur panë se asgjë nga premtimet e tyre nuk mbaheshin, Lindita thotë se 5 vitet e fundit nuk kishte votuar.

Pandemia e gjeti familjen e varfër po njësoj. Vajza kishte mbaruar shkollën 9-vjeçare dhe ndryshe nga moshataret e saj nuk vazhdoi shkollën e mesme, por nisi të kërkojë punë.

Lindita tregon se Faiku u shtrua dy herë në spital me probleme në mushkëri. Sipas saj, lagjështira e kasolles ku kanë qëndruar ishin shkaku që ai u sëmur rëndë dhe nuk u ngrit më nga krevati.

Teksa e pyet se çfarë kërkon sot, Lindita të përgjigjet se ka nevojë për një shtëpi. Vajza nuk e lë të punojë, sepse shpenzimet e jetesës i përballon me pagën e saj minimale si shitëse.

Por përveç kësaj, gruas i ka humbur besimi se shteti do të ndërhyjë. Me vdekjen e të shoqit janë larguar nga shtëpia dhe jetojnë në shtëpinë e vëllait, ngjitur me koliben, në një dhomë që ai u ka lëshuar motrës dhe mbesës së tij.

“Një shtëpi dua, të jetoj si të gjithë. Por nuk kam besim se do fitoj gjë”, mbyll bisedën gruaja.

Në ligje parashikohet që për familjet me të ardhura të pakta të ofrohen mundësi strehimi si dhe punësimi.

Prej disa vitesh, në bashkinë e Tiranës me dhjetëra raste të familjeve në nevojë janë suportuar me bonus qiraje apo u është ofruar strehim në banesat sociale, duke shqyrtuar më parë dokumentacionin në Këshillin Bashkiak.

Kjo procedurë duket që nuk është kryer nga familja Heta por as nuk është ofruar nga përfaqësuesit e pushtetit vendor, i pari kryeplaku i lagjes, i cili është pika e parë e kontaktit të pushtetit vendor me komunitetin.

Mungesa e aftësisë së familjarëve për të marrë informacion dhe për tu asistuar nga përfaqësuesit e pushtetit vendor, është arsyeja kryesore e gjendjes së tyre të mjerë ku për 19 vjet me radhë jetuan në këto kushte dhe e msobesimit t thellë që kjo familje ka edhe ndaj medias kur intresohet për ta.