HomeLajmeAksidentet në punë, nëna e minatorit: “Im bir ka vuajt si Krishti,...

Aksidentet në punë, nëna e minatorit: “Im bir ka vuajt si Krishti, askush s’ta sheh hallin”

Emisioni Vetting- Bulqiza si ëndërr e keqe

Kur të rinjtë hyjnë në galeritë e minierave të Bulqizës, mësojnë fillimisht se gjithçka ndodh në nën tokë, mbetet aty. Mësojnë të pajtohen me “kodin e heshtjes” që i rri si mantel çdo aksidenti a vdekje.

Dita e parë e punës për secilin prej tyre, është vetëm fillimi i rezistencës ndaj errësirës, e vdekjes. Zanatin e mësojnë nxitimthi pasi siç tregon ish minatori Ferhat Kurti, tani pronarët e administratorët e subjekteve private mendojnë se si ta shfrytëzojnë punëtorin, që në ditët e tij të para në nëntokë, deri në “skllavërim”.

Me më shumë se tri dekada  punë në minierë, ai kujton se përballja e tij me nëntokën nuk ishte e lehtë. Mirëpo, e gjithë pesha e familjes i kish rënë mbi supe e nuk mund të dilte prej aty, pa fituar bukën e përditshme.

“Kur hyra për herë të parë në minierë, nuk e dija ku po shkoja… komplet botë tjetër. U futa poshtë dhe nuk dija si të dilja nga ashensori, nuk mund ta kuptoja. Futeshe në një anë dhe nuk e dija si të shkoja në anën tjetër. Ecja, nuk e dija ku… më kapi një shok për dore dhe më tregoi rrugën”- tregon ish minatori.

Pavarësisht puseve që ka hapur, e kromit që ka grumbulluar,  për pronarët e subjekteve minerare, situata financiare e Ferhat Kurtit nuk ka ndryshuar prej ditës së parë kur nisi punën. Jeton në pallat punëtorësh, dhe në bankë numëron veçse kreditë që i janë dashur për të përballuar operacionet që i është nënshtruar si pasojë e punës në minierë e rritjen e fëmijëve. Dy infarkte të kaluara në brendësi të galerive e gishtat e prera të njëjtës dorë, janë vetëm shenjat e dukshme fizike, që tregojnë jetën e vështirë të tij. Më mirë se kushdo vuajtjet e tij, i njeh e ëma, që e ka përcjellë çdo ditë skutave të minierave. Për 3 dekada me radhë, nënë Sulltanja, si shumica e grave të Bulqizës, me dhimbjen që u kaplon shpirtin, është përshëndetur me djalin e saj, duke lënë një lamtumirë pezull deri në kthim.

“Një djalë që kam minator… ka vujt si Krishti, si Krishti kur them, ka vujt si krishti… Shkonte pa bukë gjithnjë, se s’kisha ça t’i jepja me vete…Vetëm vinte, hante drekë a darkë… qeveria nuk të sheh hiç a ke hall a si e ke hallin.. a të sheh? Hiç nuk të sheh… A duam llafe të bukura ne në televizor, apo duam të hamë… si thua?   Se sa nëna qajnë, se sa fëmijë mbeten jetimë…  e halli nuk i qahet askujt”,  tregon ajo.

Pavarësisht varfërisë, me vdekjen që përgjon minatorët në galeri, nënë Sulltanja ndihet me fat që të birin e ka gjallë. Janë 50 minatorë që vetëm në 7 vitet e fundit kanë dhënë në miniera frymën e fundit. Ndërsa më shumë se 257 kolegë të Kurtit, kanë në trup plagë e gjymtime të parikuperueshme të shkaktuara gjatë aksidenteve në punë.

Dritëhijet pas asaj çka ndodh në thellësi të nëntokës, amortizimi, aksidentet e vdekjet  “të sistemuara” zyrave me gjoba modeste, bëjnë që minatorët, të heshtin e të frikësohen. Çdo fjalë e thënë prej tyre mund t’u heq bukën e gojës, apo akoma më keq të lihen të pambrojtur ndaj kërcënimeve “të të fortëve” që zotërojnë arin e nëntokës… Këto janë vetëm disa nga arsyet pse aksidentet apo vdekjet në miniera, edhe mund të fshihen, apo të manipulohet e vërteta .

“… në një sektor ku ndodh aksidenti…këta e bllokojnë.  I vendosin një kryq që kur të vijë ISHM-i,  se ata kontrollojnë minierat, dhe i çojnë në turn të dytë dhe të tretë që nuk ka kontroll…”-tregon minatori.

Harta e zezë e aksidenteve dhe vdekjeve të punonjësve gjatë një viti, për shkak të minierave e karrierave prek kulmin në qarkun e Dibrës. Viti 2018 ka shënuar një nga periudhat më tragjike, me 42 të aksidentuar e 8 të vdekur në minierat e këtij qyteti. Por, masat që janë marrë janë thuajse të papërfillshme.  20 paralajmërime, 3 pezullime dhe 7 gjoba me vlerë 840 mijë lekë, as që nuk ndihen në xhepat e kamur të pronarëve të minierave ku punonjësit kanë lënë jetën. E nga ana tjetër, vetë minatorët, që kanë dekada punë mbi supe tregojnë se nuk kanë hasur asnjë rast ku për humbjet e jetëve të jetë ndëshkuar me masa serioze subjekti apo administratorët. /Abcnews.al

Must Read

spot_img