Akulloret “kancerogjene”, eksperti: Shkaktojnë tumore të ndryshme

0
134

Nga Nevila Dervishi

Shqiptarët kanë konsumuar 11 ton akullore me përmbajtje të elementëve kancerogjen. Por sa duhet të shqetësohen të gjithë ata që e kanë konsumuar tashmë këtë kategori? Në lidhje me këtë dhe për të mësuar më shumë, ABC kontaktoi Profesor Kapllan Sulajn, Dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit, në Universiteti Bujqësor. Ai tha se pasojat mund të shfaqen më vonë.

Ekspozimi i konsumatorit kryesisht konsumatori i grupmoshave të vogla  me oksid etileni bën të mundur që të shfaqen më vonë fenomenete të tilla toksike që në rastet e konsumimit me doza të larta, shfaqet me toksicitet të sistemit nervor, me raste shpeshherë të fshehta por që progresojnë me kalimin  e kohës. Në ekspozimet kronike mund të bëhet edhe promotor  i lindjes së proceseve tumorale në organizëm” tha ai.

Më tej eksperti tregon se cfarë duhet të bëjnë ata që kanë konsumuar një produkt të tillë. “Duhet të jenë të rezervuar sepse në mënyrë të paditur ata mund të marrin sasi të tjera të oksidit të etilenit prandaj duhet të ndalojnë konsumimin e akulloreve, kryesisht të akulloreve të paketuara. Për të kalkuluar dozën është e vështirë sepse duhet të dimë sa është sasia në një akullore”.

Megjithatë prof. Sulaj e ka një përgjigje. “Nëse një person konsumon më tepër nga tre akullore në ditë atëherë natyrisht që shprehja e toksicitetit është më e lartë” tha ai. Në lidhje me konsumimin e akulloreve të ndryshme që aktualisht qarkullojnë në tregun shqiptar, eksperti këshillon që të evitohen të gjitha ato që janë me ngjyrë të theksuar./ Abcnews.al