Ambasadorja Kim: Nuk negociojmë me të korruptuarit

0
148

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka risjelle në vëmendje memorandumin e Shtëpisë së Bardhë kushtuar luftës kundër korrupsionit.

Ambasdorja thotë se individët e korruptuar duhet të mbajnë përgjegjësi. Askush sipas saj, nuk i nënshtrohet “negocimit” dhe askush nuk duhet të pretendojë të jetë “ndërmjetës”.

Ndër të tjera diplomatja shkruan se personat e shpallur “non grata” mund të aludojnë për komplote, por faktet janë të pamohueshme.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë se Amerika do të kërkojë llogari nga ata që përfshihen në korrupsion”, ka shkruar ambasadorja në Twitter.

Memorandumi 7031 (c) i Departamentit Amerikan të Shtetit të cilit i referohet ambasadorja, promovon luftën kundër korrupsionit dhe të drejtat e njeriut.

Disa muaj më parë, Departamenti i Shtetit i SHBA-së u ka ndaluar hyrjen në territorin amerikan ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe anëtarëve të familjes së tij të ngushtë, me akuzën se ai ishte i përfshirë në korrupsion të gjerë.

Në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, thuhej se Berisha, në cilësinë e tij zyrtare, në veçanti si kryeministër i Shqipërisë, ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike.

Berisha ka mohuar të gjitha akuzat dhe ka kërkuar publikim të fakteve.