Ariani mbron Berishën: Kush po pyet për SHBA-në, presidenti Berisha as ka vrarë e as ka vjedhur. Kemi ende punë për të fituar ndaj komunizmit

0
536

Që prej shpalljes “non grata” nga SHBA, Sali Berishës i kanë dalë zot publikisht për ta mbrojtur vetëm dy persona: Tritan Shehu dhe Arian Starova.

I pari nuk dihet nëse e mbron seriozisht, apo tallet, por i dyti duket i sinqertë në budallallëkun e vet.

Sot p.sh, ka bërë një shkrim në portalin e familjes Berisha, ku ndër të tjera thotë se Shqipëria është një vend sovran dhe nuk pyet SHBA-në se çfarë do të bëjë.

Sipas tij, Berisha, të cilin e quan president, as ka vrarë e as ka vjedhur, ndërsa më tej vijon duke thënë se kanë ende punë për të luftuar komunizmin në SHBA e Shqipëri.

Tani duhet të jetë shumë dëshpëruese për Berishën, që në këto ditë të vështira të kesh në krah veç Arianin dhe Tritanin.

Imagjinoni çfarë drame mund të jetë për të, të përfundojë që ta mbrojë veç Ariani me Tritanin.

Shkrimi i Arianit:

Le t’i themi përsëri disa të vërteta mbi presidentin Berisha në një kohe kur po na bëhet diçka “e modës” që të hedhin “baltë” mbi figurën e tij publike.

Mesa duket, ai u ende u “prishka punë” edhe kundërshtarëve politikë, por edhe ca “eunukëve politikë” të opozitës.

1- Askush nuk ka të drejtë të cilësojë dikë si të padëshirueshëm duke mos treguar fakte. Aq më shumë që këta “fakte” janë 9 vjet të vjetër, qysh kur PD u largua prej qeverisjes në vitin 2013. As Departamenti i Shtetit.

Përndryshe, do të duhet të pranojmë logjikën autoritariste sipas së cilës diçka qenka e drejtë “për arsye shtetërore” që publiku nuk u dashka t’i dijë!!!

2- Të “ashtuquajturat veprime penguese, apo minuese për demokracinë” të presidentit Berisha janë përgjithësisht gjëra që lidhen me mënyrën e tij të të drejtuarit dhe temperamentin e tij, por kurrsesi me shkeljen e parimeve demokratike.

Kurse të gjitha akuzat e tjera të liga dhe të paguara që e akuzojnë për vrasës janë sa të pavërteta, aq edhe qesharake dhe të neveritshme.

3- Çdo shtet ka të drejtën e vet sovrane për të dhënë cilësime morale si në rastin e Presidentit Berisha nga Departamenti i Shtetit. Megjithatë, edhe Shqipëria duhet të veprojë si shtet sovran i detyruar të respektojë drejtësinë e tij ligjore.

Madje, vetë ShBA është përpjekur tashmë prej shume vjetëve për ta ndihmuar Shqipërinë për të pasur një sistem drejtësie të paanshëm dhe të pavarur. Prandaj, presidenti Berisha nuk mund të mos hyjë në Kuvendin e ri vetëm sepse qenka i cilësuar si “i padëshirueshëm për të marrë vize hyrjeje” për në Sh.B.A.

4- Partia Demokratike nuk mund të mos e mbrojë dhe respektojë presidentin Berisha. Ai është njeriu që ka zënë vendin e tij të merituar si në historinë e asaj partie, ashtu edhe në historinë e Shqipërisë paskomuniste. Çdo diskutim tjetër i motivuar nga “nevoja” për të hequr Berishën që t’i hapet rruga Bashës është vetëm i padrejtë dhe i turpshëm.

Le të mos harrojnë diçka: Nëse themi thuajse njëzëri të gjithë se diktatura komuniste shqiptare ishte me e egra në Lindjen komuniste, atëherë duhet të pranojmë se edhe dalja prej saj do të jetë më e vështira.

Sot Shqipërisë i duhet të luftojë jo një komunizëm ideologjik, por komunizmin klanor të përfaqësuar nga njerëzit e afërt të klanit qeverisës të kohës së komunizmit, të cilët në vend të “ndërtimit të socializmit” kanë zgjedhur pasurimin e tyre të pakufi me synimin e përjetësimit të sundimit të tyre politik.

5- Detyra e vetme politike e opozitës së sotme është shpëtimi i Shqipërisë nga qeverisja klanore e tejkorruptuar dhe kreu i saj narcist i tejmbushur deri në derdhje edhe me veten e vet …