HomeLajmeBrrylat në PS Gjiknuri i tregon Taulant Ballës rrezikun për karrierën politike

Brrylat në PS Gjiknuri i tregon Taulant Ballës rrezikun për karrierën politike

Që Partia Socialiste është shndërruar në një formacion ku nuk duhet të pipëtijë as miza, kjo tashmë është vërtetuar në mënyrë të përsëritur, aq sa Edi Rama nuk ka nevojë të shfaqë shenja pakënaqësie ndaj ndonjë lëvizjeje të pakontrolluar. Vetë zyrtarët e PS e dinë si duhet të sillen për të mbetur në lojë dhe kanë filluar t’i dallojnë daljet nga rreshti.

Të tilla duket se kanë qenë sinjalet që ka dhënë Taulant Balla, i cili u largua nga Qarku i Elbasanit drejt atij të Fierit. Balla organizoi fluturimin e një droni mbi stadium ku shkruhej “Taulant, Elbasani ty të do” dhe një dalje publike të socialistëve që thërrisnin në kor falenderimet për Taulant Ballën.

Personi që e zëvëndësoi, Damian Gjiknuri duket se e ka parë të arsyeshme t’i japë një paralajmërim Taulant Ballës, që me pakënaqësinë që ka shfaqur për largimin nga Elbasani ka vënë në rrezik karrierën e tij politike.

I pyetur nga moderatori Thimi Samarxhi për Taulant Ballën, i cili u vendos drejtor politik në Fier nga kryeministri Edi Rama, Gjiknuri tha se Balla ka bërë një punë të mirë në Elbasan, por duhet që të kujdesej më shumë për karrierën e tij politike.

“Unë kam marrëdhënie shumë korrekte me Ballën, jemi kolegë të vjetër. Unë e di që media ka qejf sensacionin, por nuk duhet interpretuar ashtu. Në PS mund të ketë patur çështje të menaxhimit të pritshmërive. Taulanti ka pritshmëri të ndryshme. Taulanti ka detyrë të rëndësishme, kreu i grupit. Mund të ketë pasur pritshmëri të tjera, është krejt normale. Është krejt legjitime. Por Taulanti ka aq eksperiencë në politikë sa mos ta hedhë dëm investimin e tij në PS për një moment të caktuar. Këshillat pastaj janë personale e mbeten mes nesh,”- tha Gjiknuri.

Ditën e Asamblesë së PS, kur Gjiknuri zuri vendin e Ballës si drejtues politik në Elbasan, deputeti shigjetoi Gjiknurin duke u shprehur me kunjë: S’bie tërmet në Elbasan! Mbetet për t’u parë nëse Balla ka vendosur të dalë nga rreshti një herë e mirë apo këto janë vetëm shfaqje të pemenduara mirë të një mllefi të akumuluar për mosemërimin e tij si ministër.

Must Read

spot_img