“Çmenden” burrat në Tiranë. Njëri rreh hallën, tjetri ia nxjerr inatin gruas

0
156

Katër persona janë arrestuar së fundmi nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për dhunë në familje. Blutë e Tiranës bëjnë me dije përmes një njoftimi zyrtar se është vënë në pranga një 31-vjeçar që ka dhunuar hallën e tij, një 37-vjeçar që ka dhunuar ish-gruan dhe një tjetër që ka kanosur bashkëshorten.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të shpallur në kërkim E. Z., 31 vjeç, sepse më datë 31.08.2021, në rrugën “Vëllezërit Manastirliu”, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj hallës së tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ndalimin e shtetasit E. V., 43 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” pasi me datë 27.08.2021, për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta shtetasen A. M.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit të shpallur në kërkim L. M., 37 vjeç, pasi ka përndjekur dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së tij. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin e shtetasit S. T., 37 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”, sepse në banesë, sistematikisht ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur bashkëshorten e tij.