Ditari i rrallë i shefit të Sigurimit në Bllok: Kadri Hazbiu u shit nga familja e sekretares së tij. Çfarë thonë oficerët e shërbimit në shtëpinë e Mehmet Shehut ?

0
222

Gazeta publikon në numrin e sotëm ditarin e rrallë të mbajtur nga ish-shefi i Sigurimit të Bllokut, Gani Kodra, ky i fundit njeriu më i afërt i Mehmet Shehut dhe pas vdekjes së tij, ai përfundoi në bankën e të akuzuarve, bashkë me Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Mihallaq Ziçishtin, Llambi Ziçishtin etj.

Ish-shefi i Sigurisë së Byrosë Politike iu nënshtrua torturave dhe qëndroi me vite në qeli, ndërsa pas daljes nga burgu, Gani Kodra ka hedhur në letër të gjitha kujtimet e tij, detaje e forta, dejet pikante nga brenda gjyqit misterioz që çoi në vdekjen e ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Habziu.

Në numrin e sotëm, gazeta sjell përplasjen e fortë në gjyq mes Kadri Habziut, komandantit të truprojave të Mehmet Shehut, Ali Çenon, por dhe me tradhtinë e njerëzve më të afër të tij, shoferit, radistit dhe sekretares së tij.

Sipas Gani Kodrës, Enver Hoxha dhe Hekuran Isai kanë inskenuan se Kadri Habziu ka qenë në vilën e Mehmet Shehut disa minuta para se ai të vetëvritej. Sipas tyre, kryeministrit të kohës, Mehmet Shehut i erdhi një mesazh nga banda e Xhevdet Mustafës që ky i fundit të vetëvritej pasi ishte zbuluar se ishte agjent i amerikanëve, ndërkohë që detyrat duhet t’ia kalonte Kadri Habziut, që ky i fundit të drejtonte organizatën kunderrevolicionare që do eliminonte Enver Hoxhën.

Për të vërtetuar ketë tezë, në numrin e kaluar botuam dëshminë e shefit të truprojave të Kryeministrit Shehu, Ali Çenon, por pretendimet e tij u hodhën poshtë nga ish-ministri i Brendshëm, i cili tha se natën e vdekjes së Mehmet Shehut, ai kishte qenë në ditëlindjen e sekretares së tij, Elit dhe familjen e saj në Laprakë.

Por kundër, pohimeve të Kadri Hazbiut dolën shoferi i tij personal dhe radisti i tij, ushtaraku që kujdesej për ndërlidhjen. Gjatë gjyqit vetë Kadri Habziu kërkoi që të dëshmoftë sektarja dhe bashkëshorti i saj, por edhe këta të fundit e tradhtuan në gjyq, duke thënë se ish-ministri i Brendshëm kishte ardhur shumë vonë në shtëpinë e tyre.

“Si jua nxë goja të thoni që unë kam ardhur shumë vonë, kur darka kishte mbaruar!? Nuk kam se çfarë t’ju them tjetër vetëm se t’ju vije turp se shqiptari nuk e ka zakon që të gënjejë, sidomos për mikun kur e fton në shtëpi”, ka thënë i revoltuar Kadri Habziu.

Çfarë thonë oficerët e shërbimit në shtëpinë e Mehmet Shehut për natën e vdekjes së tij?

1- Mbasi mbaroi mbledhja e Byrosë Politike mbrëmjen e datës 17.12.1981, rreth orës 21:00 Mehmeti u kthye në shtëpi i shoqëruar nga i gjithë grupi me Aliun në krye. Rreth orës 22:00 Mehmeti doli vetëm në verandë dhe pyeti një oficer të grupit se kush ishte me shërbim atë natë. Oficeri iu përgjigj se ishte zv/komandanti i grupit. “Po Aliu, -pyeti Mehmeti – ku është”? Oficeri u përgjigj se Aliu kishte shkuar në shtëpi. Atëherë Mehmeti i tha oficerit: “Shkoni, gjeni Aliun dhe i thoni që ai sonte të mos rrijë në shtëpi, por e dua që sonte të jetë vetë me shërbim.

Pas kësaj porosie të Mehmetit, dy oficerë të grupit u nisën për të gjetur Aliun dhe t’i thoshin për porosinë e Mehmetit. Kur shkuan, nuk e gjetën në shtëpi. Kërkuan në disa lokale dhe më në fund e gjetën me një oficer të grupit diku duke pirë nga një gotë birrë. la thanë porosinë dhe ai u kthye menjëherë për të marrë shërbimin në shtëpinë e Mehmetit. Në atë moment, kur ai erdhi në shërbim, ora kishte kaluar 23:00. Kështu që ky trillim ishte shumë i trashë. Aliu do të gënjente se kështu e kishin porositur nën kërcënimin e dajakut.

Shtrohet pyetja përse Mehmet Shehu kërkoi që atë natë në shtëpinë e tij të ishte me shërbim patjetër Ali Çeno? Unë këtë e shpjegoj me shumë arsye, për faktin se unë e njihja shumë mirë karakterin e tij dhe veprimet që bënte kur ishte i shqetësuar për ndonjë gjë. Ai nuk ishte frikacak, por masat për të mos ndodhur ndonjë gjë e keqe ai i merrte gjithmonë, sidomos në raste të turbullta dhe kur kishte dyshime. Mbas mbledhjes së Byrosë Politike që ishte e tensionuar, ai nuhati diçka se diçka mund të ndodhte. Prandaj pyeti për Aliun dhe kërkoi që atë natë në shtëpi me shërbim të ishte patjetër vetë ai, si komandant i grupit të shoqërimit, duke e porositur madje që masat e sigurimit të ishin të forta.

Nga ana tjetër, Mehmet Shehu kishte besim shumë të madh tek Ali Çeno. Këtë ai ma kishte thënë disa herë edhe me mua. Më thoshte: “Të gjithë grupin e shoqërimit të oficerëve i kam të mirë, por Aliu ka disa gjëra që më pëlqejnë në zbatimin e urdhrave që jap unë. Kam shumë besim tek ai për çdo gjë. Kjo ishte dhe arsyeja që Mehmeti donte që Aliu të ishte atë natë me shërbim në shtëpi, pasi ai e shihte se gjithçka ishte turbulluar rreth tij.

Edhe shoferi personal, edhe radisti i Kadriut dëshmuan kundër tij

Dëshmia e Ali Çenos, ku ai akuzonte Kadri Hazbiun se kishte shkuar më datën 17.12.1981 ora 22:30 në shtëpinë e Mehmetit dhe ishte takuar me të nuk kishte bazë të fortë, u hodh poshtë nga Kadriu me argumente, saqë Aliu nuk dinte se çfarë të thoshte tjetër.

Atëherë, Hekuran Isai me grupin hetues kishin përgatitur rreth kësaj akuze një grup personash të tjerë, që ishin shoferi dhe radisti i Kadriut, të cilët deponuan: “Kemi shkuar me Kadriun në Bllokun e udhëheqësve rreth orës 21:30, duke hyrë nga rruga e pasme e tij. Kadriu zbriti që në hyrje. Ai eci vetëm në drejtim të Shtëpisë së Partisë, e cila është brenda në Bllok. Aty shkonte zakonisht në darkë udhëheqja e partisë, pihej ndonjë kafe apo luhej me letra dhe bilardo.

Afër ose përballë saj gjendej edhe shtëpia e Mehmetit. Ne, – vazhduan radisti dhe shoferi nuk e pamë se ku hyri Kadriu, në shtëpinë e Mehmetit apo në Shtëpinë e Partisë sepse ishte larg dhe errësirë. Nuk u vonua shumë, ai u kthye pas 30 minutash, hipi në makinë dhe na tha të niseshim për në shtëpinë e sekretares ku ishte i ftuar për darkë dhe që e kishte shtëpinë në Laprakë.

Mbërritëm atje pas orës 22:00. Kadriu, i revoltuar nga kjo sajesë e servirur, për të sqaruar të vërtetën kërkoi të pyeteshin edhe të zotët e shtëpisë ku ai kishte qenë për darkë.

Sekretarja mohoi praninë e Kadriut në festën e familjes së saj

Sipas kërkesës së Kadriut, në gjyq u thirr sekretarja e tij së bashku me të shoqin për ta pyetur rreth darkës së vdekjes së Mehmetit, nëse ishte e vërtetë apo jo se Kadriu kishte qenë në shtëpinë e tyre atë natë. I pyetën burrë e grua se sa kishte qenë ora saktësisht kur kishte shkuar Kadriu. Në fillim u përgjigje zonja e shtëpisë që kishte qenë sekretarja e Kadriut. Ajo tha: “Ora nuk më kujtohet, por e mbaj mend se Kadriu ka ardhur shumë vonë, kur ne pothuajse e kishim mbaruar darkën”.

Reagimi i Kadriut ndaj njerëzve më të afërt të punës

Kur dëgjoi dëshmitë e rreme të shoferit, radistit dhe sekretares me të shoqin, Kadriu mori sërish fjalën. Në përgjigjen e tij, ai tha: “Që të katër këta dëshmitarë gënjejnë. Siç duket nuk i kanë harruar porositë që kanë marrë për mënyrën se si duhej të flisnin. Në radhë të parë unë po ju them se darkën e 17 dhjetorit, kur ka vdekur Mehmet Shehu, nuk kam shkuar fare në Bllok, por kam qenë në shtëpi. Prej shtëpisë sime jam nisur me pak vonesë dhe në orën 21:00 kam mbërritur në shtëpinë e sekretares sime, Elit. Ajo kishte ditëlindjen dhe më prisnin.

Aty kam qëndruar deri në orët e vona të natës. Kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë duhet të kishin thënë ata, por nga presioni dhe frika që u kanë futur, pëlqyen më mirë rrugën e gënjeshtrës, sesa rrugën e ndershme. Unë po pyes të zotët e shtëpisë, – vazhdoi Kadriu, – a isha unë që hapa darkën duke ngritur dollinë. Si jua nxë goja të thoni që unë kam ardhur shumë vonë, kur darka kishte mbaruar!? Nuk kam se çfarë t’ju them tjetër vetëm se t’ju vije turp se shqiptari nuk e ka zakon që të gënjejë, sidomos për mikun kur e fton në shtëpi.

Kështu, të gjitha përpjekjet që Hekuran Isai me grupin hetimor të përbërë nga Thoma Tutulani, Shkëlzen Bajraktari e të tjerë, për të vërtetuar tezën e Enver Hoxhës që Kadri Hasbiu kishte shkuar natën, në orën 22:30, datë 17.12.1981, në shtëpinë e Mehmet Shehut për t’i dorëzuar atij urdhëresat e zbulimit të huaj, dolën bllof. Për atë hipotezë nuk doli asnjë fakt sado i vogël për të vërtetuar atë që kërkonte Enver Hoxha. Kjo ndodhi se e vërteta ishte krejt ndryshe dhe se të gjitha ato që thuheshin ishin të sajuara.(Panorama)