”Edi Rama” e Mao Ce Duni, janë si buka e një brumi/ Letra e Nanos, si e shkruar sot nga Rama

0
96

Euforia e Edi Ramës, si në dashurinë ndaj popullit afgan ashtu edhe në kritikën ndaj europianëve hipokritë dhe pa kujtesë, nuk është një fenomen i ri. Ai haset shpesh tek politikanët provincialë, zakonisht pa bindje dhe ideologji të caktuar, të cilët nxitojnë të garojnë në ofrimin e shërbimeve sa herë që “i madhi” hedh vështrimin nga ata.

Këtë lloj entuziasmi të vasalit, që i jepet shansi t’i bjerë në sy “perandorit” duke i ofruar atij shumë më tepër nga çfarë i kërkohet, e kemi ndeshur pothuajse tek të gjithë poltikanët që kanë drejtuar Shqipërinë. Ata kanë qenë të gatshëm për t’u bërë më kinezë se kinezët, më muxhahedinë se muxhahedinët, më afganë se afganët, më amerikanë se amerikanët, e kështu me radhë.

Fenomeni nuk ka të bëjë, siç vërejnë disa, me deliret në përgjithësi të udhëheqësve tanë për ndikuar në fatet e botës apo me delirin në veçanti të Edi Ramës, për t’u njohur si një lider global. Në thelb, kemi të bëjmë me një kompleks inferioriteti, që liderët tanë mundohen ta kapërcejnë duke i treguar provincës së tyre se ata janë të vlefshëm dhe të rëndësishëm për superfuqinë e botës. Nxitimi dhe euforia për të përfituar në pak situata të tilla, shpesh na ka bërë qesharakë duke u mos u mjaftuar me rolin tonë, por duke i dhënë mend edhe gjithë globit, si ato vargjet e dikurshme: Dy luanë ka sot bota, një Azia një Evropa/ Enver Hoxha e Mao Ce Duni, janë si buka e një brumi.

Por duke u kthyer në temën e ditës, atë të pritjes së refugjatëve afganë në Shqipëri, deklaratat e Edi Ramës, që nuk u mjaftua me rolin që duhet të ketë Shqipëria por i tërhoqi veshin edhe Europës që i ka harruar luftërat, të sjellin në kujtesë thuajse identike fjalët e Fatos Nanos, 18 vjet më parë, në një letër të botuar në Boston Globe, ku i tregonte Francës e Gjermanisë se si duhet të silleshin ndaj luftës në Irak.

Në kontekstin e fenomenit të mësipërm, qasja është thuajse identike. E lexuar sot tingëllon edhe më qesharake se në vitin 2003. E vetmja gjë që ka ndryshuar është se ata që talleshin atëherë me servilizmin provincial të Nanos, sot krenohen me atë të Edi Ramës.

Më poshtë letra e plotë e Fatos Nanos, botuar në gazetën amerikane “The Boston Globe” më 9 shkurt 2003.

Sot ndoshta është koha që udhëheqësit europianë të vizitojnë Plazhin e Normandisë për të parë me sytë e tyre atë çfarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kane bërë në emër të lirisë.

Atje, lart mbi det, në Plazhin Omaha, ndodhet një varrezë, në të cilën prehen eshtrat e afro 10,000 ushtarëve amerikanë. Atje ata prehen, djem të rinj, të cilët dhanë jetën e tyre për të shpëtuar Europën nga shtypja naziste dhe për të çliruar kontinentit tonë.

Është në saje të kurajës dhe bujarisë amerikane që sot vende si Franca dhe Gjermania, ashtu si edhe shtete të tjerë europianë, janë vende të lira dhe demokraci vibrante. Sepse po të mos kishin qenë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre në Luftën e Dytë Botërore, Europa do të kish mbetur nën çizmen diktatoriale të Hitlerit dhe të nazistëve për breza të tërë.
Dhe Lufta e Dytë Botërore nuk ishte e para herë që Shtetet e Bashkuara treguan vullnetin e tyre për të derdhur gjak në Europë për lirinë e të tjerëve. Përpara saj ishte Lufta e Parë Botërore. Dhe për pesëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore Europa ishte në gjendje të rimëkëmbej dhe begatohej nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara kur u konfrontua me kërcënimin e komunizmit dhe doli fitimtar mbi të.

Njerëzit mund të harrojnë. Disa vende në Europë gjithashtu mund të harrojnë. Por ka vende të tjerë në Europë, të cilët janë vende më të vjetër, kanë kujtesë historike më të gjatë dhe tek të cilët kujtesa e tyre më e afërt është ajo e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, i cili i dha fund tiranisë së Sllobodan Millosheviçit. Ne, shqiptarët, nuk harrojmë.

Kjo është arsyeja pse ne i mbështesim Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përpjekjet e tyre për të çliruar Irakun nga Sadam Huseini dhe armët e tij të shkatërrimit në masë. Ashtu sikurse amerikanët kontribuan në çlirimin e Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjerë të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore, po kështu Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni i vullnetit që I mbështet ato duhet të çlirojnë sot popullin irakian.

Ne të gjithë duhet të vizitojmë Normandinë. Ne duhet t’u bëjmë homazh atyre amerikanëve të guximshëm që stuhishëm zbarkuan në Plazhin Omaha dhe dhanë jetën e tyre për lirinë e të tjerëve. Gjëja më e admirueshme është se amerikanët janë gati përsëri të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe këtë herë, përsëri, ata nuk janë vetëm.

Fatos Nano
Prime Minister of Albania