ADS
HomeLajmeEdi Rama para shqiptarëve: Plani im për përballimin e krizës energjetike

Edi Rama para shqiptarëve: Plani im për përballimin e krizës energjetike

Kryeministri Rama ka dalë në një konferencë të posaçme për shtyp në lidhje me krizën energjetike që pritet të përjetojë vendi dhe rajoni përmes të cilës prezantoi planin e qeverisë për të gjithë shtresat e qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se qeveria do të ketë në fokus të gjithë qytetarët dhe specifikisht familjet në nevojë dhe biznesin e vogël.

Konferenca e kryeministrit vjen pasi qeveria shpalli emegjencën energjetike, përmes të cilës ekzekutivi merr në duar të gjithë sistemin e prodhimit,transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike në vend.

Çfarë është emergjenca energjetike?

Gjithçka rrjedh nga neni 90 i ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar, i cili i jep të drejtën qeverisë që të shpallë emergjencën në situatat kur ka thatësirë të madhe; kur vendi është në gjendje lufte; kur ka ndonjë avari apo fatkeqësi natyrore, etj.

Në këto rrethana, vetë shteti, nëpërmjet ministrisë së linjes merr situatën në dorë duke administruar sektorin në tërësi që prej prodhimit, tek transmetimi dhe deri tek shpërndarja tek klientët fundorë. Praktikisht, në situatën e Shqipërisë, KESH, i cili prodhon, OST që e transmeton dhe OSHEE që e shpërndan tek konsumatorët, do të punojnë si një trup i vetëm duke lënë menjanë planet e tyre të zhvillimit apo të investimit.

Qeveria ka caktuar zv.kryeministrin Ahmetaj për menaxhimin e kësaj situate, i cili përmes këtij vendimi gëzon të drejtën që të fusë në “rresht” kompanitë  e mësipërme, përfshi edhe ato private që prodhojnë energji elektrike në vendin tonë.

Sipas ligjit, krahas kompanive shtetërore të prodhimit të energjisë elektrike, edhe ato private janë të detyruara që të zbatojnë planin e qeverisë në rastin e shitjes së energjisë elektrike.

Në çdo situatë, paraprakisht ato duhet t’ia ofrojnë energjinë e prodhuar fillimisht shtetit shqiptar dhe nëse ky nuk e blen, atëhere kanë të drejtë që ta nxjerrin në tregun ndërkombëtar.

Në situata emergjente, me propozimin e ministrit përgjegjës për energjinë dhe pas marrjes së mendimit të Komitetit për Emergjencat Civile, Këshilli i Ministrave mund të vendosë mbi të licencuarit detyrimin e shërbimit publik në lidhje me sigurinë e furnizimit, duke përfshirë detyrimin e importit të energjisë elektrike, detyrimin e furnizimit vetëm të kategorive të caktuara të klientëve ose kushte të tjera të veçanta në kryerjen e aktiviteteve të licencuara. Ky detyrim do të jetë në përpjesëtim me emergjencën dhe nuk duhet të shtrihet përtej periudhës së nevojshme për kapërcimin e kësaj situate”, përcaktohet në ligj në lidhje me kompanive private.

Në këtë situatë, nëse energjia elektrike e siguruar nuk mbulon të gjithë nevojën e tregut, do të jetë ministri përgjegjës ai që vendos se cilit sektor dhe kur do t’i ndërpritet energjia elektrike.

Por, ashtu siç i jep kompetenca të forta ekzekutive qeverisë për menaxhimin e krizës së energjisë pas shpalljes së emergjencës, ligji parashikon edhe detyrime. Shteti shqiptar është përgjegjës për mbulimin e kostove shtesë të kompanive private në rastet kur pësojnë humbje nga shitja e energjisë elektrike kompanive publike shqiptare.

Shqipëria konsumoi 7.5 milion MWh energji elektrike gjatë vitit të shkuar sipas raportit të ERE-s, ku 5.3 milion MW/h u prodhuan në vend nga HEC-et, kurse pjesa tjetër, rreth 2.2 milion MWh u importuan.

Nga totali prej 5.3 milion MWh që prodhohen në vend, rreth 3.1 milion MWh është energji elektrike e prodhuar nga HEC-et në varësi të KESH, kurse pjesa tjetër nga HEC-et private. Kështu, krahas prodhimit të KESH, vendimi i sotëm i qeverisë do të ndikojë pikërisht edhe energjinë elektrike të prodhuar nga HEC-et private.

Kujtojmë që viti i shkuar pati një kërkesë të ulët për energji elektrike pasi ekonomia nuk ishte në performancën maksimale për shkak të pandemisë, ndërsa pritet që kërkesa gjatë këtij viti të jetë edhe më e madhe.

Energjia elektrike në vitin 2020

Konsumi total: 7.5 milion MWh

Prodhimi vendas: 5.3 milion MWh

  • Nga KESH: 3.1 milion MWh
  • Nga HEC-et private: 2.2 milion MWh

Importi: 2.2 milion MWh .

Vijon…

Must Read