Edi Rama si bamirësi që të vjen te dera me më shumë kamera sesa pako

0
71

Edi Rama po futet për ditë e më shumë nën lëkurën e atij zengjinit të ri, i cili nuk rri dot pa e përmendur lart e poshtë nderin që i ka bërë dikujt.

Po të shikosh të gjitha qëndrimet e tij të ditëve të fundit ato ngjajnë me skenat e neveritshme që shohim shpesh në TV tona, kur një biznesmen filmohet me një thes me miell në derën e një familjeje të vobektë. Qëllimi nuk është të ndihmojë dikë, qëllimi është të shfaqet në rolin e bamirësit.
Këtë po bën edhe kryeministri me fabulën e refugjatëve afganë. Ai e ka shfrytëzuar atë për të nxjerrë kokën në shumë prej mediave të rëndësishme botërore.

Dhe duhet pranuar se strategjinë e ka pasur të qartë.

Fillimisht e shoqëroi lajmin se Shqipëria do të presë refugjatët afganë të kërcënuar nga talebanët me një polemikë të ndezur nga hiçi. Ndonëse askush nuk e kundërshtoi publikisht këtë akt, ndonëse me një servilizëm të përshtirë pro amerikan, opozita e përshëndeti pa ngritur asnjë pikpyetje, Rama tentoi ta shiste si një vendim që ai po e merrte me humanizëm pavarësisht rezistencës lokale. Pikërisht për këtë sajoi atë postimin e stërgjatë në Facebook, ku në më shumë se gjysmën e tij, shante si “shqipo mendjefikur“, “mallkues pa din e pa iman”, “llum njerëzor” protestuesit inekzistentë që nuk e pranonin ardhjen e afganëve.

Pastaj, në mediat ndërkombëtare, sërish përmes krijimit të një polemike, filloi të stigmatizonte ato shtete që nuk pranonin të qenë në lartësinë e një lideri si ai, duke u përpjekur të krijojë antitezën mes të mirve dhe të këqijve, humanistëve dhe jo të tillëve, mbrojtësve të vlerave të kontinentit të vjetër dhe të tjerëve që i kanë mbyllur ato në sirtar. Kushdo nga ekspertët e komunikimit do të pohonte se, kur shefi i një vendi të vogël dhe të përëndësishëm, të përmendur vetëm për krim e trafik, ‘guxon” të godasë të mëdhenjë e botës, ai ia del të përbëjë lajm. Dhe kryeministri ynë zgjodhi pikërisht këtë rrugë. Ai sulmoi në Il Foglio “hipokritët pa kujtesë” të Europës. U habit në The Guardian se si vendet më të pasura “mund ti kthejnë shpinën afganëve”, nënvizoi për BBC “ata që lufrat i njohin vetëm nga “Netfixi” dhe të gjithë se toku i vuri përballë sjelljes së tij, që do ti strehonte refugjatët në hotelet e bregdetit.

Falenderimet nga SHBA/ Rama bëhet më afgan se afganët në mediat e huaja

Për të kuptuar se sa hipokrite është kjo kryqëzatë mediatike mjafton të përmendim vetëm dy shembuj, kur i njëjti protagonist është sjellë në mënyra krejt të ndryshme.
Atëherë kur vendosi që në kulmin e pandemisë të çonte mjekë dhe infermirë në Itali, madje shpenzoi edhe veshjet sterile që mungonin krejtësisht në spitalet tona, vetëm për të kryer xhirimet propagandistike me ta në aeroport, Rama e mbyti shtypin me intervista për vendin e vogël solidar që nuk e harron fqinjin e saj, ndryshe nga Franca dhe Gjermania që e kanë braktisur atë. Madje ai urdhëroi një lakeun e vet mediatik të botonte edhe sondazhe italiane që e nxirnin Raman liderin më të pëlqyer në glob, më shumë se Merkelin, Putinin, apo Makronin.
Por, krejt ndryshe u soll ai me nje ngjarje që mund të kishte një impakt të vërtetë në shtypin ndërkombëtar, për faktin se ishte hera e parë që Shqipëria e vogël i thoshte jo një halli të Amerikës. Pasi protestat e forta kundër demontimit tek ne të armëve kimike të Bashar Al Asadit e detyruan kryeministrin e zgjedhur rishtaz të tërhiqte premtimin që i kishte dhënë Uashingtonit, ai u mjaftua vetëm me një fjalim drejtuar popullit ‘se nuk kish pasur kurrë ndërmend ta tradhëtonte”. Për këtë ngjarje që mund etiketohet si një ushtrim brilant i demokracisë, që mund të kishte joshjen mediatike të kundërshtimit të SHBA, pra që mund të bënte lehtësisht lajm, nuk gjendet asnjë intervistë e Ramës në mediat botërore.
Konkluzioni është i qartë. Ai nuk nis kryqëzata mediatike për të mbrojtur parime dhe vlera, ai i ka ato për kalkulime të ulëta politike.
Edhe këtë radhë, fabula e njeriut që i del në krah SHBA-së, imazhi i liderit pro amerikan, i vyen Ramës për të mbuluar shumë nga njollat e qeverisjes së tij kleptokratike. Prandaj ai po pompon atë.
Por këtë po e bën në mënyrë aq të shumtuar dhe talebaneske sa është vënë në rolin e atyre sharlatanëve që shkojnë e bëjnë bamirësi me një pako në duar dhe me dhjetë kamera pas shpine. Ai po demostron mungesën therrëse të elegancës të dikujt që nuk humbet asnjë rast pa e përmendur nderin. Dhe kjo po bëhet duke përdhosur edhe atë pak imazh të mirë që Shqipëria mund të merrte prej një akti mikpritjeje të vendosur nga lart.