Frrok Çupi: Familja presidenciale armike e SHBA, Meta do e drejtojë LSI nga burgu

0
35

Analisti Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek akuzat e forta të lëshuara nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili nga foltorja e Parlamentit e etiketoi Ramën, Berishën dhe Metën si “Trekëndëshi i Bermudës”, thirrjet e ish-kryeministrit për revolta dhe vendimin e tij për të kandiduar për kreun e PD dhe sulmet e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi në adresë të kryedemokratit.

Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, analisti Çupi u shpreh se presidenti Meta është përfshirë në korrupsion dhe vrasje, ndërkohë që shtoi se pas largimit nga Presidenca, kreut të shtetit do i hapet dera e burgut dhe e LSI. Sipas tij, Kryemadhi përmes sulmeve ndaj Bashës i kërkoi ndihmë Rusisë që ta mbrojnë nga drejtësia dhe ofensiva amerikane. Sa u takon thirrjeve të Berishës për revolta, zoti Çupi theksoi se ish-kryeministri s’ka shanse ta çojë vendin në zgrip.

-Zoti Çupi, ditën e enjte nga foltorja kreu i PD, Lulzim Basha shpërtheu në akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, presidentit Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa i cilësoi ata si “Trekëndëshi i Bermudës”. Pse erdhi ky qëndrim i Bashës dhe a ndihet i rrezikuar nga ky trinom?

Në deklaratën e Bashës ka një kompleks të tërë obsesionesh, mos e marrim si një “politikë të pastër”. Obsesioni i parë është marrëdhënia me Berishën. Berisha deri dje ishte zoti i Bashës, por edhe tani është obsesioni i tij. Bashës i thotë nën-koshienca se “Berisha” po e ndjek në çdo hap, sikur “Berisha do ta kapë në gabime”, sikur do ta sulmojë si “i lidhur me Ramën”.

Atëherë Basha shpërthen “kundër” Berishës dhe i thotë se “ti je në një trekëndësh” me Metën e me Ramën. Ky ishte obsesioni i parë. I dyti është “frika e vetmisë”. Basha edhe pse ka në krah Shtetet e Bashkuara edhe pse ka opinionin më të mirë të demokratëve, prapë i duket vetja vetëm kur nuk ka Berishën “në krevat”. Një mësuese- personazh i Frojdit, nuk bënte dot dashuri sepse sa herë e dëshironte këtë, i vinte para syve portreti i babait që e kishte lënë të sëmurë në krevat. Obsesioni i tretë lidhet me “gjuhën e Ramës”. Basha është përpjekur mijëra herë dhe ka dështuar miliona herë përballë retorikës politike të Ramës. Kësaj here e provoi edhe një herë duke dëshmuar “erudicion”. Me këtë rast mendoi që të marrë një krahasim nga një botë shumë e largët siç është Trekëndëshi i Bermudës. Mirëpo siç duket dituritë e tij mbi Bermudën janë thuajse zero dhe bëri një gafë të miliontë. Në trekëndëshin e Bermudës nuk fundosen këndet e trekëndëshit, por fundosen ata që hyjnë në këtë “vorbull” fantazmë. Luli doli prapë siç ishte. Po çfarë do Luli që merret me këto krahasime, në një kohë që ka tjetër mision nga aleatët!

-Por sulmet e Bashës ndaj Metës kanë “zgjuar” kryetaren e LSI, Monika Kryemadhin, e cila gjatë një interviste këtë të shtunë për “Zërin e Amerikës” tha se s’ka asgjë të re nga fronti i lindjes. Madje, zonja Kryemadhi akuzoi kryedemokratin Basha se po kërcen tango me kryeministrin Edi Rama dhe se sipas saj, tradhtoi kauzat e qytetarëve. Si i shihni këto akuza?

“S’ ka asgjë të re nga fronti i Lindjes”. Kjo është sentenca që mund të gjykohet në njëmijë fjalë të tjera që thotë gruaja e Ilir Metës. Të gjitha fjalët boshe përdoren për të fshehur këtë “kod”. Padyshim që kjo është frazë e formuluar nga Ilir Meta dhe e huazuar nga e shoqja Monika. Të dy këta ndodhen në të njëjtën situatë siç ndodheshin dikur “diversantët” në malet me borë të Shqipërisë. Këta presin të vijë t’i marrë ose t’i shpëtojë dikush. Po kush do t’i shpëtojë? Barinjtë që sillen maleve (domethënë populli) nuk kanë pikë dashurie e kujdesi për “të ftohtët” e akullt që ndjen familja presidenciale. Familja Meta ka ndërtuar vila, ka vjedhur sy për sy popullin, akuzohet për vrasje dëshmitarësh dhe krime të tjera, akuzohet për trafik njerëzish dhe drogë…, më në fund ka tentuar të shkatërrojë paqen në vend me qëllim që t’u hapë rrugën faktorëve të tretë kundër Amerikës. Po cili mund ta shpëtojë në luftën e tij kundër Amerikës? I thotë mendja se shpëtimtari do të vijë nga Lindja. Ndoshta Meta ka sinjale dhe ka lidhur aleanca me forca lindore, që nga Rusia deri në Iran! Fraza e lëshuar nga Monika në një media amerikane se “asgjë nga fronti i Lindjes” duket se thërret padronët e tij në Lindje që “të shpejtojnë” sepse deri tani nuk po shikojnë gjë.

-Kryemadhi u pyet nëse presidenti Ilir Meta do rikthehet në krye të LSI, e cila në një farë mënyre ia la derën e hapur bashkëshortit të saj. Keni një koment?

Ilir Meta nuk është larguar kurrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, aq sa nuk u largua Sali Berisha nga Partia Demokratike kur ishte president në vitet 1992-97. Këta të dy e kanë fatin të lidhur me njëri-tjetrin. Për Metën ka dy dyer që do të hapen pasi të largohet nga porta e Presidencës: Dera e burgut dhe dera e LSI. Ndoshta do të hapen të dyja.

-Cila është e ardhmja e LSI, sipas jush?

E ardhmja e LSI është kjo e tanishmja; më tutje nuk ka më. Tani ka 4 deputetë, ka një rreth njerëzish që po kërkojnë “paret tona” si në vitin 1997, ka edhe një zverdhje komike. Lëvizja Socialiste për Integrim lindi si një syth parazitar në trupin e Partisë Socialiste, thithi lëngun e partisë mëmë për shumë kohë, solli në shoqërinë politike fenomenin e “sythit që than trungun e vet”, solli banditizmin politik dhe vjedhjen sy për sy, u hyri njerëzve nën lëkurë… E tani? Prapë ta mbajë njeriu nën lëkurë? Jo, kaq ishte.

-Ka zëra se sapo të dalë nga Presidenca, presidenti Ilir Meta mund të shpallet “non grata” nga amerikanët. Sa qëndrojnë këto pretendime?

Ilir Meta dhe Sali Berisha po sillen “mirë” përballë Amerikës. Kanë mësuar nga sjelljet fatale të armiqve të tjerë të Amerikës, duke filluar që nga Millosheviç, Mlladiç, Karaxhiç, Saddam Hussein, etj. Në momentin kur Sadam ose Karaxhiç u fshehën- njëri në një fshat të Malit të Zi dhe tjetri në një vrimë në Irak, atëherë Amerika u vu në gjueti të tyre dhe i nxori nga vrima. Kur i nxori, u bëri gjyqin. Këta tanët, Ilir Meta dhe Sali Berisha, nuk po e bëjnë këtë sepse e kanë eksperiencën. Nëse e presin ditën e gjyqit këtu mbi tokë, domethënë jo nëpër vrima, atëherë është më mirë për ta. Po guxuan të gjejnë vrimë diku tjetër, atëherë flasim prapë.

-Një tjetër zhvillim është se ish-kryeministri Berisha ka shpallur kandidaturën për kryetar të PD. A ekziston mundësia që ai të marrë frenat e partisë?

Sikur të ekzistonte kjo mundësi, atëherë Berisha do të vinte në krye të PD. Po sikur Berisha të vijë në krye të PD, partia shpallet e paligjshme sepse tenton të ndryshojë orientimin politik të kombit drejt Perëndimit. Gjithashtu do të ishte parti e izoluar nga bota. Po të jetë PD e Berishës, i bie që për pak kohë të mbetet pa kryetar sepse Berishën e pret drejtësia. Po të mbetet pa Berishën, PD mbetet vetë Berisha: Aty fillon lufta për kryetarin, aty hanë njëri-tjetrin, aty del në shesh turpi i pashoq. Por “Berisha në krye të PD” është vetëm një punë laboratorike djallëzore e përgatitur nga Berisha dhe budallenjtë.

-Ndërkohë Sali Berisha njoftoi se një gjykatë në Francë ka pranuar padinë e tij kundër Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Si i shini këto zhvillime?

Ky nuk është një zhvillim, ky është një mashtrim. Këtë e ka thënë Berisha dhe askush tjetër, sado që nuk ka pikë rëndësie se ku shkojnë zarfet e një poste. Por Berisha, tërë jetën, ka marrëdhënie të këqija me të vërtetën. Berisha është mashtrues dhe shpifës patologjik. Kur është në krye të shtetit ai mashtron dhe shpif si një njeri i sërës së ulët; tani që është në pikë të hallit, i nënkuptohet çdo neveri që bën. Mund të thotë edhe këto idiotësi për Francën, gjykatësin dhe Amerikën. Në një rast tjetër kur ishte president, ai ka urdhëruar që Ambasada e Amerikës të sulmohet me tanke. E çfarë qenka kjo shpifja e sotme?

-Berisha çdo ditë bën thirrje për protesta të fuqishme si në vitet ’90 për rrëzimin e qeverisë “Rama 3”. A rrezikohet stabiliteti i vendit?

Sali Berisha tanimë është i neutralizuar, Amerika e shkriu që në 19 maj. Tani ai vërtitet sa në një foltore në tjetrën, ku ka një tufë idiotësh që do të mundin Amerikën. Por këto janë sa për të qeshur. Berisha tani nuk ka të drejtë të hyjë në Parlament, nuk ka të drejtë t’i afrohet asnjë institucioni të shtetit dhe ligjit. Çfarë kishte për të bërë Berisha kundër stabilitetit, paqes dhe prosperitetit në vend e në rajon, e bëri në mënyrën më tragjike. Tani nuk ka as fuqinë e qenies që ulet e shikon hënën e fundit pas mesnate.

Intervistoi: Rigels Seliman