Gjykata Kushtetuese rrëzon opozitën: Zgjedhjet lokale të 30 Qershorit janë të ligjshme

0
20

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë i jep fund debatit duke legjitimuar zgjedhjet lokale të 30 Qershorit të 2 viteve më parë, të cilat opozita i bojkotoi.

Pas shqyrtimit të padisë së bërë nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, drejtuar nga Voltana Ademi, administrimit të opinionit të Komisionit të Venecias dhe dëgjimit të palëve dy ditë më parë, sot vendosi që të rrëzonte ankesën duke njohur si të ligjshëm procesin.

Kjo do të thotë se zgjedhjet pavarësisht se opozita, PD-LSI i bojkotoi janë të ligjshme dhe se nuk do të ketë proces të parakohshëm.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:

Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.
Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies,

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” mbyllet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Zgjedhjet e 30 Qershorit u bojkotuan nga opozita, por ato u mbajtën në datën e caktuar pavarësisht se Presidenti Ilir Meta e anuloi atë, duke vendosur një datë tjetër.

Opinioni i Komisionit të Venecias ka qenë kyç në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Venecia” nuk e këshilloi Gjykatën Kushtetuese t’i përsërisë zgjedhjet. Në opinion theksohej se bojkoti i partive (siç bëri PD në 2019) nuk është arsye që zgjedhjet të mos mbahen çdo 4 vjet siç është periodiciteti i tyre.

“Venecia” theksoi se kompetencat e Gjykatës Kushtetuese nuk përfshijnë shqyrtimin e vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore./ db/Abcnews.al