“Hajduti hyri nga dritarja”, sot u arrestua, si e zbardhi skemën e grabitjes 3 ditë më parë drejtori i zyrës së “Tokës”

0
185

Një prej të arrestuarve për grabitjen e zyrave të Administrimit të Tokës në pallatin e Kulturës në Vlorë është vetë Bardhi Gjika drejtori i kësaj zyre i cili 3 ditë më parë “zbardhi” skemën se si hajdutët kishin hyrë në godinë.

Në një prononcim për medie Gjika tregoi se grabitësi ishte futur nga dritarja e zyrës së zëdhënësit dhe kishte dalë nga dera kryesore pasi kishte thyer dyert e dy zyrave, asaj të pronës dhe të Mbrojtjes së tokës. Autori dyshohet të ketë qenë i maskuar dhe i armatosur, tha ai. Si duket pa e kuptur Gjika ka treguar më shumë detaje se ç’duhet të grabitjes që kishte organizuar vetë. Gjika theksoi 3 ditë më parë se sinjali për këtë vjedhje është dhënë nga roja e godinës.

“Rreth mesnatës jam njoftuar që kanë hapur zyrat. Një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrat. Zyrat e pronave. Gjeta policinë dhe rojet. Po bëjmë një inventar për të parë se çfarë mungon. Është hapur edhe zyra e drejtorisë dhe administrimit të mbrojtjes së tokës. Nuk kemi për të thënë vjedhje dosjesh sa të mësojmë. Nëse ka humbur një dokument. Monitorohet nga kamerat. Roja e ka konstatuar dhe ka njoftuar. Ka hyrë nga dritarja te zyra e zëdhënësit dhe pastaj ka dalë nga dera kryesore”, shprehet Bardhi Gjika.

Gjatë grabitjes janë vjedhur dy dosje të fshatit turistik Dhërmi. Nga hetimet ka rezuluar se Bardhi Gjika në bashkëpunim me specialistin e kësaj drejtorie Kreshnik Mino dhe Spiro Duni 51 vjeç, të dy po ashtu të arrestuar, dyshohen se kanë falsifikuar formularët e AMTP dhe Formularin nr.6 për regjistrimin e një pasurie (truall), në fshatin Dhërmi. Materialet proceduriale do ti kalojne Prokurorise pranë Gjykatës së Shkallës së Vlorë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës nga persona që ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, e kryer në bashkëpunim. be.k/Abcnews.al