Lajme

I maskuari qëlloi me armë zjarri tregtarin/ Si ndodhi ngjarja e rëndë në aksin Laç-Lezhë, pistat që po heton policia

Advertisements

ELVIS HILA/ Një 60-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi u qëllua me armë zjarri në anë të autostradës Laç–Lezhë.

Ngjarja ndodhi rreth 25 minuta pas mesnatës të së hënës, ndërsa objektiv i sulmit ishte Besim Zeneli, banor i fshatit Shullaz të Kurbinit. Ai po mbyllte dyqanin e fruta-perimeve, kur një person i maskuar është afruar dhe ka qëlluar dy herë me pistoletë më drejtim të tij.

Plumbat e prekën në pjesën e barkut 60-vjeçarin dhe u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën. Plagosja e tregtarit, që pason një seri krimesh të rënda në zonën e Kurbinit, vuri në alarm Policinë e Shtetit dhe në zonë zbarkuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

TRE TË SHOQËRUAR

Policia thonë se ka shoqëruar 3 persona, mes tyre dhe autorin e dyshuar të ngarjes, ndërsa po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plagosjes, ndaj edhe identiteti i të ndaluarve nuk bëhet i ditur, për shkak të sekretit hetimor. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes, si dhe po analizohen kamerat e sigurisë së bizneseve në zonë, për të parë lëvizjet e autorit para dhe pas ngjarjes.

Me përmirësimin e gjendjes shëndetësore, Policia pritet të marrë në pyetje edhe 60-vjeçarin Besim Zeneli, ndërsa hetimet për sulmin janë shtrirë në disa pista, mes të cilave edhe ajo e hakmarrjes, pasi dy vëllezërit e 60- vjeçarit kanë qenë të përfshirë në një vrasje disa vite më parë. Ndërsa edhe tentativa e grabitjes është një tjetër dyshim i Policisë.

ÇFARË THOTË POLICIA

“Rreth orës 00:25, gjatë kohës që shtetasi B. Z., 60 vjeç, banues në fshatin Shullaz, Kurbin, ka qenë në biznesin e tij (dyqan fruta-perimesh) që ndodhet në anë të rrugës, në autostradën LaçLezhë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij. Për pasojë, shtetasi B. Z. ka marrë plagë në trup dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin mjekësor.

Advertisements

Grupi hetimor vijon veprimet në vendin e ngjarjes, duke administruar çdo provë dhe vlerësuar çdo informacion, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar 3 persona, mes tyre edhe autorin e dyshuar të ngjarjes dhe po kryejnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe arrestimin e autorëve të dyshuar. Për momentin nuk bëjmë me dije identitetin e personave të shoqëruar, për shkak të vijimit të hetimeve dhe ruajtjes së sekretit hetimor”, sqaroi Policia e Lezhës

Advertisements

Related Articles

Back to top button