I riu bëri humor me ezanin, Muç Nano thirrje Ramës: Bëhu i gjallë, atë djalë e kanë kërcënuar, ku është tani? Pronarët e lokalit në Tiranë kanë ikur nga frika

0
107

Analisti Mustafa Nano i bën thirrje kryeministrit Edi Rama, të reagojë për një ngjarje që ka ndodhur ditët e fundit në Tiranë. Një i ri që punonte në një lokal ku bëhej komedi në kryeqytet, është “zhdukur” për shkak të kërcënimeve sepse bëri humor me ezanin.

Madje, Nano thotë se edhe pronarët kanë mbyllur lokalin dhe janë larguar, për shkak të frikës.

Në fakt, bëhet fjalë për këtë video që ne po publikojmë më poshtë. Ajo ka nxitur reagime të shumta dhe të ashpra të personave që nuk e kanë marrë si komedi por si fyerhje ndaj fesë islame.

“Dikush pra, ka bërë ironi me ezanin. Dhe ky dikush është gjendur më pas nën një agresion të paparë online. E kanë sharë mbarë e mbrapsht, e kanë kërcënuar, deri edhe me vdekje. Nuk kam parë asnjë gazetar të shkojë t’i vërë mikrofonin te goja këtij djalit…

Nuk kam parë një raportim, ku të na thuhet se kush është ky djalë, ku është tani, është në Shqipëri apo e la për fare Shqipërinë. Kam dëgjuar që klubi është mbyllur, sidoqoftë, prej shqetësimit se mos talebanët tanë ndërmarrin hapa të rrezikshëm. Dhe pronarët janë larguar pa adresë. Prej frikës. Është situatë absurde, e pakuptueshnme, e pafalshme. Për mua, kryeministri shqiptar duhet të bëhet i gjallë e të dalë në mbrojtje të fjalës së lirë”, shkruan ndër të tjera Muç Nano.

Shkrimi i plotë:

Në Tiranë ka ndodhur një ngjarje e rëndë, me të cilën nuk merret askush. Në një Comedy Club (nuk e kam ditur që ekziston një i tillë), dikush me prirje komike ka marrë mikrofonin e ka bërë ironi me ezanin. Ju e dini, ezani është ajo lutja që u bëhet myslimanëve pesë herë në ditë, e që unë asnjëherë nuk e kam kuptuar, dhe nuk e kuptoj gjithë ditën e ditës, pse duhet të jetë një thirrje që bëhet me altoparlantë. Unë e kuptoj pse bëhet me altoparlantë në vendet arabike: arabët janë të gjithë myslimanë. Ndërsa në këtë vendin tonë nuk ka vetëm myslimanë.

Ka edhe të tjerë, të cilët nuk janë pak. Dhe për këta të fundit, të dëgjojnë ezanin nuk është ndonjë qejf i madh, nuk është fare qejf, është në të vërtetë bezdi, ashtu siç është bezdi çdo gjë që njeriut i futet përdhunshëm në jetën e tij. Nuk keni menduar ndonjëherë për këtë? Mendojeni pak. Është tamam kështu. Ne e kemi pranuar këtë gjë, por është një gjë që duhet ta shtrojmë për diskutim, në kuadër të një diskutimi më të madh mbi bashkëjetesën fetare në Shqipëri. E di që mund t’ju duket një ide trazuese, kontroverse, por duhet bërë ky diskutim.

Myslimanët janë një pjesë e shoqërisë shqiptare, dhe duhet të kenë respekt për pjesën tjetër. Ata kërkojnë vazhdimisht respekt, kërkojnë të mos fyhen, por janë ata të parët që duhet të kenë respekt për ne të tjerët. Dhe ky respekt duhet të fillojë me një tërheqje të tyren. Duhet të gjejnë mënyrën që ezanin, e gjithçka tjetër që ka të bëjë me fenë e tyre, ta mbajnë për vete. Edhe qeveria shqiptare duhet ta mendojë këtë gjë. Por përpara se të shkojë deri në këtë pikë, qeveria duhet të bëjë gjëra më të thjeshta: Duhet të ndalojë imamët të transmetojnë për gjithë qytetin ligjëratat e tyre fetare. Kjo është më shumë se bezdi. (Ndodh çdo të premte në Kavajë, meqë ra fjala.)

Kthehem te ajo që po thosha. Dikush pra, ka bërë ironi me ezanin. Dhe ky dikush është gjendur më pas nën një agresion të paparë online. E kanë sharë mbarë e mbrapsht, e kanë kërcënuar, deri edhe me vdekje. Nuk kam parë asnjë gazetar të shkojë t’i vërë mikrofonin te goja këtij djalit, e të dëgjojë prej tij se çfarë mendon për atë që bëri, pse e bëri, pse duhet bërë, a do ta bënte sërish, e se çfarë mendon për zulmën e madhe të talebanëve që do donin ta linçonin.

Nuk kam parë një raportim, ku të na thuhet se kush është ky djalë, ku është tani, është në Shqipëri apo e la për fare Shqipërinë. Kam dëgjuar që klubi është mbyllur, sidoqoftë, prej shqetësimit se mos talebanët tanë ndërmarrin hapa të rrezikshëm. Dhe pronarët janë larguar pa adresë. Prej frikës. Është situatë absurde, e pakuptueshnme, e pafalshme. Për mua, kryeministri shqiptar duhet të bëhet i gjallë e të dalë në mbrojtje të fjalës së lirë.

Jetojmë në një botë, ku jemi të lirë të kritikojmë e ironizojmë çdo gjë, çdo person, çdo personalitet, çdo profet, çdo ide, e nuk paskemi të drejtën të kritikojmë Islamin. Unë e di që ky nuk është vetëm problemi ynë. Është problem gjithandej nëpër botë. Komedianët, karikaturistët e gjithkush tjetër i jep të drejtë vetes të tallet me çdo autoritet në Tokë e në Qiell, por ka skrupuj e frikë kur vjen puna të thotë diçka për Islamin. Duket sikur bota i është dorëzuar një ideologjie obskure e reaksionare. E pabesueshme