I riu shqiptar gëlltit telefonin, mjekët ja nxjerrin nga barku: Mund t’i shpërthente bateria

0
183

Një ndërhyrje e pazakonte është realizuar ditën e djeshme në Kosovë. Para 4 ditësh një 33-vjeçar kishte gëlltitur një celular “NOKIA” dhe pasi nuk ishte ndjerë mirë i ishte drejtuar spitalit.

Mbetet e paqartë se si ka ndodhur ngjarja ndërsa mjekët kanë arritur t’ia nxjerrin telefonin e ndarë në tri pjesë, me rrugë endoskopike, pa e prerë lukthin.

Këtë rast e ka njoftuar fillimisht mjeku Skënder Telaku, i cili zbuloi se operacioni ka përfunduar me sukses. Më vonë në një prononcim për gazetën “Express”, Telaku është shprehur se fillimisht nga barku i 33-vjeçarit është nxjerrë kapaku i celularit dhe më pas bateria, që konsiderohej si më e rrezikshmja, sepse mund t’i shpërthente në stomak.

 

“Ata më thirrën për një rast, ishte një person që kishte gëlltit një trup të huaj, u desht të bëhet gastroskopia me urgjencë, kur hynëm në lukth e pamë që ishte telefoni i ndarë në pjesë tri pjesë. Një pjesë ishte kapaku i përparshëm dhe i pasmi i plastikës, plus bateria brenda.

Hyjmë me pajiset që i kemi këtu, njëherë e nxorëm një pjesë, mandej pjesën tjetër, në fund e nxorëm edhe baterinë, nga të gjitha këto pjesë bateria është më e rrezikshmja sepse ajo pjesë ishte ajur dhe mund të shpërthejë. Mund të lëshojë materie kimike dhe mund t’i shpërthejë zorrët”, tha Telaku.

Ai tha se për nxjerrjen e telefonit është punuar rreth dy orë.

“Ky nuk është operacion, është rrugë endoskopike, nga goja e kemi nxjerrë, sikur të mos kishim sukses do të duhej me pre barkun dhe me nxjerrë nga barku. Jemi mundu dy orë dhe u nxorr”, tha mjeku dhe shtoi se pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Të premten e ka përbi deri të hënën i ka qëndru. Pacienti mirë është, e nxorrëm, nuk është lehtë me punu në dy orë, por shpërthim nuk pati”, tha më tej mjeku.