Ilir Meta nga Prishtina: Ballkani i Hapur rivalizon procesin e Berlinit, ringjall fantazmën e Millosheviç

0
19

Nga Prishtina, presidenti Ilir Meta është shprehur se ka dy rezerva për nismën Ballkani i Hapur, pjesë e të cilës janë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Meta deklaroi se ai shpalos një politikë përjashtuese si dhe përpiqet të rivalizojë procesin e Berlinit.

“T’i përmbahemi zbatimit të marrëveshjeve. Kjo është shumë e rëndësishme. Ka një varg “Ah sikur të bëhet edhe një mbledhje që t’i jepte fund të gjitha mbledhjeve”. Duhet t’i shmangemi çdo tentative për t’i personalizuar raportet e pazëvendësueshme Shqipëri-Kosovë. Nuk mund të jetojmë me iluzionin që ajo që po shohim të ndodhë në Serbi apo Bosnje, nuk ka ndikim te ne.

Arkitektura e paqes dhe sigurisë është garancia më e mirë dhe më e sigurt për të ardhmen e vendeve tona. Duhet të jemi të vendosur për të refuzuar çdo flirt anti europian. Shqipëria do të përmbushë angazhimet e saj si vend anëtar i NATO-s. Rezerva e parë që kam për Open Balkan është parimore. Bashkimi nuk mund të ofrohet përmes politikës përjashtuese.

Prandaj është shumë e rëndësishme që të kemi në konsideratë parimet që garantojnë bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Rezerva e dytë lidhet me përpjekjet për të rivalizuar procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur e parcelizon bashkëpunim vetëm në tre vende dhe duket sikur i jepet Serbisë kundrejt një sjellje më të balancuar në rajon. Si mundet t’u besojmë qëllimeve të mira kur ringjallet fantazma e Millosheviç”, tha Meta.