Jetojnë në kontenier, familja në Krujë refuzon apartamentin: Jemi ankuar në Bashki

0
50

Nga Ahmet Zani

Familja Masha nga Mazha që pas tërmetit të 2019 jeton në kontenier nuk ka pranuar apartamentin e që i caktoi Bashkia e Krujës. Fëllanxa thotë se janë 10 anëtarë në familje dhe ju takon një sipërfaqe më e madhe.

S’jam fare e kënaqur. Na dhanë një banesë 3 plus një, jemi vetë i 10-të, pjesëtarë. E refuzuam dhe nuk e kemi marrë. Kryetari i bashkisë na tha eja të flasim. E takova gojarisht Bushin i thashë që vet i pestë s’mund të rri në një dhomë”.

Pas kësaj bisede me kreun e Bashkisë se Krujës shpreson se mbase ju japin një hapësirë më të madhe. “Na ka mbajtur me fjalë të mira, na tha do e mbaj premtimin të shohim a do e mbajë fjalën”.

Nëna e tre fëmijëve thotë se prej dy vitesh po jetojnë në kushte skandaloze në çadër e kontenier. “Me shumë vështirësi, mbrëmë i kam pasur gocat me temperaturë. Nuk rrihet këtu vetë i pesti, çadra u prish, vetëm rrobat kam aty, vetëm në kontenier jetojmë tani” tha ajo.

Dy ditë më parë përfaqësues të Bashkisë së Krujës ndanë banesat e para ndërtuara në Bubq për familjet që tërmeti i 26 nëntorit të 2019 ju shkatërroi shtëpitë. Që ditën e parë pati kontestime.

Disa nga të dëmtuarit që jetojnë në fshat u zhgënjyen pasi prisnin që shtëpitë të ndërtohej në tokën e tyre. Duket se ky targetgrup do ti refuzojnë apartamentet për shkak se bagëtitë nuk i marrin dot në pallat./ Abcnews.al