Komedia me ezanin çon në Polici imamin Ahmed Kalaja, pronarja e lokalit në Tiranë thotë se është kërcënuar me jetë

0
67

Imami i xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë, Ahmed Kalaja, është denoncuar në komisariatin nr. 2 nga pronarja e një lokali në kryeqytet. Bëhet fjalë për një lokal në kryeqyet ku bëhet komedi, por që së fundmi është mbyllur përkohësisht pas një incidenti.

Më datë 15 gusht të këtij viti në këtë lokal është mbajtur një stand up komedi ku ironizohej ezani.

Video u shpërnda me shpejtësi në rrjetet sociale dhe reagimet ishin të shumta dhe agresive, kryesisht nga besimtarët myslimanë. Madje dhe vetë Imami Kalaja e ndau videon duke e quajtur komedinë një tallje me fenë dhe kërkojnë reagimin e autoriteteve.

Sipas pronares së lokalit, reagimi i imamit ka bërë që besimtarët të shkonin para lokalit, ndërsa një person i identifikuar si Dashamir Kalaja ka kërcënuar me jetë stafin dhe pronaren. Edhe gazetari Muç Nano ka bërë një shkrim të gjatë sot, ku kërkonte reagimin e kryeministrit Rama.

Sipas tij, djali që bënte komedi me ezanin është “zhdukur”, ndërsa lokali ishte mbyllur nga pronarët, për shkak të frikës dhe kërcënimeve me jetë. News 24 kontaktoi me imamin Ahmet Kalaja, i cili tha se nuk kishte dijeni për denoncimin.