Mërgimtarët në Zvicër fajësojnë qeverinë: Në Kosovë pa distancë e pa maska, kaos total

0
55

Bashkatdhetarët që jetojnë në Zvicër, kanë rrëfyer për gazetën “Blick”, eksperiencën e tyre gjatë pushimeve në Kosovë.

Luan F., ka thënë se në Kosovë askush nuk iu ka përmbajtur rregullave për t’u mbrojtur nga coronavirusi, dhe për këtë tregon se ai dhe gruaja e tij ishin infektuar gjatë pushimit në Kosovë.

Tutje ai tregon se kunati i tij po ashtu i infektuar me COVID-19, është i shtrirë në spital në Prishtinë, dhe vazhdimisht ka nevojë për oksigjen.

“Na u desh të vuanim për një javë. Gruaja ime dhe unë kishim Corona. Dhemb kudo! Tani jemi kthyer në Zvicër. Kunati im është ende në spital në Prishtinë dhe ka nevojë për oksigjen 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, thotë bashkatdhetari në një intervistë për Blick.

Tutje Blick, raporton se pak para pushimeve verore, Qeveria e Kosovës hoqi pothuajse të gjitha masat anti-COVID.

“Aeroporti në Prishtinë ishte aq i ngarkuar këtë verë sa kurrë më parë. Vetëm në korrik, 446,340 pasagjerë zbarkuan në Prishtinë – dy herë më shumë se në vitet para pandemisë”.

Gazeta zvicerane përmend lejimin e dasmave, ahengjeve familjare e klubeve të natës, të cilat shndërruan Kosovën në një arenë të “lulzimit” të virusit.

“300 të ftuar në dasmë – askush nuk mbante maskë. Shumë njerëz erdhën në Kosovë nga jashtë,” thotë Luan F, i cili kaloi dy muaj në vendlindje.

“Dasma këtu, dasma atje, rrugët ishin plot”, u shpreh ai.

Deklaratat korrespondojnë me përvojat e lexuesve të tjerë të Blick.

Arjeta L., fluturoi për në Prishtinë për dasmën e një shoqeje. Ajo tregon se masat higjienike u injoruan gjatë verës në Kosovë.

“Kishte 300 mysafirë, shumë prej tyre nga Zvicra. Unë nuk kam parë një person të vetëm të ketë vendosur maskë. Distanca as që vinte në shprehje”, tha ajo.

Por jo vetëm në ahengje, maskat u shmangën edhe në jetën e përditshme.

“Askush nuk kishte vendosur maskë në restorante apo supermarkete. Ishte kaos total ”, thotë Bekim Gashi (46).

Ai kaloi gati dy javë me vajzën dhe nënën e tij në qytetin e vogël të Klinës në veriperëndim të vendit.

“Ne qëndruam larg nga të gjitha rastet,” thotë ai.

“Kam kaluar disa herë nëpër vendet ku mbaheshin dasmat, disa prej të cilave janë mbajtur në tarracat e restoranteve. Aty askush nuk mbante maskë” u shpreh tutje Gashi.

“Qeveria e Kosovës është fajtore”, tha më tej.

Ashtu si Gashi, edhe Agon K., thotë se u përmbajt nga festat dhe dasmat.

“Unë hoqa dorë nga dalja dhe turmat. Fatmirësisht refuzova ftesat për dasma, “thotë ai.

Agoni i cili kaloi një muaj në Kosovë, tha se çdo ditë mund të shihte se si gjendja vazhdonte të përkeqësohej nga virusi.

“Unë nuk u infektova me COVID-19, sepse vërtet u kujdesa për veten. Familja ime dhe unë kemi zbatuar vazhdimisht rregullat e Zvicrës që nga fillimi i pandemisë”, thotë ai.

Ai tutje e konsideron qeverinë përgjegjëse për katastrofën e virusit në Kosovë.

Ai akuzoi Qeverinë e Kosovës se hapjen totale të vendit e bëri për përfitime nga turizmi.

“Për shkak të turizmit, ata pranuan një katastrofë të madhe, ” rrëfen Agoni.