“Mjerë ata që dalin përpara”/ Berisha: Kuvendi fillon në 11 dhjetor dhe vazhdon deri në rivendosjen e pluralizmit politik!

0
58

Sali Berisha, ka dalë në një konferencë urgjente për mediat, pak pasi u njoftua se në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Lulzim Basha ka kërkuar mbajtjen e Kuvendit të kësaj partie në 18 dhjetor.

Berisha deklaroi se këtë datë Bashës, ia ka caktuar Edi Rama dhe se askush nuk do ta ndalë Kuvendin e anëtarëve të PD, që do të mbahet në 11 dhjetor.

Berisha tha se Kuvendi i iniciuar nga firmat e delegatëve do të nisë në 11 dhjetor dhe do të vijojë “deri në rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri”, duke paralajmëruar se do të kemi një Kuvend disa ditor.

“Pesë ditë pas dorëzimit të 4200 firmave, peng kryetari, i PD-së, mbledh kryesinë fallco, e cila në masën 60% e saj, ësht zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë, pra jo me votën e fshehtë të Këshillit tonë Kombëtar, por emëruar nga peng kryetari i partisë siç donte ai dhe njofton datën që i jep pengu i tij Rama, për Kuvend të PD-së, 18 dhjetor.

Me këtë rast, unë dua të garantoj të gjithë firmëtarët e këtij misioni historik, firmat e të cilëve do të gdhenden në muralin e pluralizimit politik shqiptar, se nuk do të ketë asnjë forcë dhe asgjë që mund të nëpërkëmbë firmat e tyre dhe se Kuvendi i PD-së, do të mblidhet datën e shpallur prej tyre. Ai Kuvend do të mblidhet jo sipas rendit të ditës së peng kryetarit, por sipas rendit të ditës që ata guximtarë kanë firmosur në formularin e tyre.

Të harrojë kush, se mund të luajë me revolucionin paqësor që po zhvillohet në Shqipëri. Ju garantoj që është revolucion më paqësori, por është revolucion. Mjerë ata që kërkojnë të përballen me të!

Ne po ndjekim me rigorozitet, ligjet ekzistuese, ndaj i them Edi Ramës hiq dorë, se do të hysh ne histori njëlloj si daja yt. Mos u shërbe me pengje dhe stërpengje! Idealet e demokratëve nuk i mposht dot askush. Peng kryetarit, i them, me 11 dhjetor je i ftuar të vish në Kuvendin e PD-së

Këtë Kuvend nuk e thërret përfaqësia por anëtarësia. E thirri anëtarësia sepse nuk desh ta thërriste përfaqësia, që donte ta bllokonte! Cilido që hyn në atë Kuvend, hyn strikt si anëtar i barabartë me të tjerët, sikundër e njoftoi peng Bashën, se data 11 është vetëm data e fillimit të Kuvendit. Kuvendi vazhdon veprimtarinë e tij deri me rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.

Mos mendo Edvin, se duke vjedhur data do të mund ti dalësh përpara këtij Kuvendi”, tha Berisha.