Mos ik… Ky vend nuk bëhet, nëse nuk bëhemi ne. Thyejani turinjtë arrogantit që ju keqtrajton

0
326

Nga Kledi Rama

Mos ik

Ky vend nuk bëhet, nëse nuk bëhemi ne. Kështu që mjaft me shprehje akuzuese, abuzuese dhe dembele. Një njeri që bullizon dhe i vë nofka atdheut është i barabartë me një tradhëtar. Kam lexuar dhe dëgjuar sentimentalizma, shfajësime, artikuj, letra e lloj-lloj paçavuresh duke justifikuar harbutërinë mentale me shprehje ” Ky vend nuk bëhet”, ” Jemi popull injorant”, Fajin e ka politika”, shqipot, pellazgët etj. Politika dhe pushtetarët kanë fajin e tyre, por ne çfarë bëmë këto 30-vjet, përpos faktit që ankohemi dhe të vetmen zgjidhje shohim ikjen. Dhe atëherë kur kërkojmë ndryshim kacafytemi me njëri-tjetrin për punë partish. Çdo katër vjet zihemi për të zëvëndësuar mëkatarin me mëkatar. Jemi ne ata që i themi të zezës të bardhë dhe të bardhës të zezë, të qërruar nga dashuria për ngjyrat pokitike. Politika është në rregull me të vetën, për aq kohë sa ne nuk ndajmë interesin tonë me interesin e tyre. Jemi vetë që i sjellim dhe po vetë që i mbajmë. E pra, nuk është puna se ky vend nuk bëhet. Problemi është që duhet të bëhemi ne.

Mos ik…

Ikja nuk është zgjidhje. Mos e braktis bordin e anijes. Mos harro se brenda në bord ndodhet gjithçka, ti je. E shkuara, e tashmja dhe e ardhmja jote. Nëse nuk e zgjidhim vetë problemin e shtëpisë, nuk na e zgjidh Amerika, Gjermania, Anglia. Mjafton të bëjmë si duhet detyrat tona dhe e mira do të vijë. Mos thoni nuk rrihet në këtë vend të mallkuar, kur jeni ju që e pranoni korrupsionin. Mos u merrni me brekët e grisura dhe mbërtheçkat. Mos u merrni me vilat e bukura, pushimet luksoze dhe dhuratat super të shtrenjta që merr ai apo ajo. Merruni me faktin që kërkohen para, favore seksuale, për një vend pune apo shërbim. Me shërbimin që nuk e merrni edhe pse paguani paratë tuaja. Mos e shaj Shqipërinë, kur nuk ke bërë as përpjekjen më të vogël si qytetar për të patur ato që kërkon. Janë disa gjëra të vogla në dukje, por që tregojnë shumë. Përse kur je në vend të huaj lëkurën e bananes nuk e hedh në tokë. Përse bishtin e cigares ende të pa fikur nuk e flak nga dritarja e makinës. Përse vritesh me vllain për një fjalë. Pse të duket i pa rëndësishëm Skënderbeu, Fishta, Konica, Ismail Qemali, Robert Ndrenika, Kastriot Tusha, Agim Doci, Luiza Gega, Shpëtim Saraçi e shumë e shumë të tjerë dhe të duket i rëndësishëm Mevlani apo Tea që duan të përputhen, apo princushi i Love Story. Përse nuk e honeps teatrin, stadiumin, librin dhe çmendesh pas Big Brother, Përputhen, Love Story. Ndrysho mendimet, qëndrimet dhe vetëm atëhëre do ta shohësh gotën gjysëm plot.

Mos ik…

Pse t’ja lëmë ta gëzojnë ndyrësirat këtë vend të bekuar nga Zoti. Nuk po them asapak se është e lehtë. Nuk po them aspak se një njeri i vetëm mund të ndryshojë gjithçka, ama të gjithë së bashku po. Të gjithë mund ta gjejmë këtu, atë që e kërkojmë në vend të huaj. Pse duhet të gjejmë ngushëllim në mërgim? Është e dhimbshme të kërkosh dëshpërimisht qetësi, kujdes dhe siguri larg nënës, babait, atdheut.

Ne jemi ata që vendosin. Drejtësia mund të mos funksionojë, se ashtu duan ata, ama ne mund ta bëjmë të funksionojë duke i çjerrë maskën secilit, pa frikë. Nxirrni tym dhe flakë kur ju shkelet e drejta dhe e shihni sesi zbuten pastaj. Mos u frikësoni dhe qëndroni deri në fund për të drejtën tuaj. Ama duhet ta bëjë secili prej nesh pa përjashtim, në çdo rast. Kërkoni llogari. Bojkotoni dhe mos u bëni palë në çështje që ju dëmtojnë. Duke u bërë njësh me ta nuk keni të drejtë të ankoheni më pas. Nuk ju pëlqen çmimi i naftës, mos blini naftë disa ditë. Jeni të pa kënaqur me shërbimin e transportit publik dhe çmimet e tij, mos hipni në to dhe e shikoni sesi zëri juaj do të dëgjohet. Mund të humbisni për disa ditë , por do të fitoni më tepër më pas. Kërkojeni të drejtën tuaj bashkarisht, me çdo kusht.

Mos ik…

Në Shqipëri nuk egziston shtresa e mesme. Kemi të varfër dhe të pasur. Mund të kesh një punë, por nuk mbyll dot muajin. Kjo është varfëri, nuk është shtresë e mesme. Kërko më tepër respekt ndaj teje. Me tepër dinjitet. Kërko pagesa që e justifikojnë mundin dhe lodhjen. Bëhuni bashkë në vendin e punës dhe bllokojeni. Bashkarisht, gjithmonë bashkarisht kërkoni të drejtat e tuaja. Mos lejo që një horr të përfitojë nga djersa jote. Thyejani turinjtë arrogantit që ju keqtrajton apo atij që ju kërcënon me bukën e gojës. Mos u bëni skllevër të një vendi pune. Nuk jua mban askush shpirtin, përveç Zotit dhe shpatullave tuaja. Anglezët, francezët, amerikanët, turqit, grekët, islandezët, norvegjezët, kroatët e të gjithë ata që sot kanë një mirëqenie më të mirë e kanë arritur me punë dhe me kërkesë-llogari ndaj të zgjedhurve të tyre. Me mund e me gjak. Nuk ua ka falur njeri lirinë dhe të drejtat. I kanë fituar me vendosmëri. Qëndroni të punoni për vendin tuaj. Vendoseni veten në funksion të së mirës për njëri-tjetrin. Me punë dhe vetëm me punë mund të shkojmë aty ku duam.

Mos ik…

Nëse të gjithë ata si ty që duan një jetë më të mirë do të qëndrojnë, Shqipëria do të ishte më mirë. Nëse je i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm bëhu bashkë me ne. Me të njëllojtit e tu, sepse vetëm ashtu mund ta bëjmë ndryshimin. Duke u ndarë e duke na lënë neve këtu nuk përbën zgjidhje. Ne që duam dhe mendojmë si ty na le më të dobët më të brishtë. Zëri ynë pakësohet për herë e më tepër dhe nuk kemi forcë. Nëse je edhe ti me ne, atëhëre zëri ynë do të buçasë fuqishëm e do të tundë nga themelet çdo gjë të keqe që ka kapluar këtë vend.

Fundja kemi të drejtë të ëndërrojmë dhe ëndrrat që kemi të përpiqemi t’i arrijmë në tokën më të ëmbël ; në tokën amë. Edhe në qoftë se nuk ja dalim, diçka do të ndodhë me siguri. Diçka do të ndryshojë me patjetër. Ta shohim si detyrë hedhjen e themeleve për të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë. Të nisim rrugën e ndryshimit duke mos ikur, por duke u bërë bashkë./KultPlus.com