New York Times shkruan për “burrneshat” shqiptare: Si u braktis “virgjëria e betuar”

0
220

Një traditë shekullore në të cilën gratë e deklaruan veten burra në mënyrë që të gëzonin privilegjet mashkullore, po vdes pasi gratë e reja kanë më shumë mundësi në dispozicion për të jetuar jetën e tyre. Kështu e nis artikullin The New York Times, dedikuar grave burrnesha të Shqipërisë.

Një rrëfim personal i një gruaje e cila vendosi t’i thotë jo martesës dhe t’i bashkohet vëllazërisë shqiptare të quajtur “burrneshat” duke thyer tabunë që sot shumë pak gra druhet ta bëjnë, të betohen për një beqari të përjetshme dhe të braktisin të ashtuquajturën tradita e “virgjëreshave” . E gjendur në një shoqëri të mbyllur dhe patriarkale, të lidhur ngushtë me traditat e vjetra, në veriun e largët të Shqipërisë, Gjystina Grishaj kur ishte adoleshente mori një vendim drastik: Ajo do të jetonte pjesën tjetër të jetës së saj si burrë.

Ajo nuk donte të martohej në moshë të re, nuk i pëlqente gatimi, hekurosja e rrobave ose “të bënte ndonjë nga gjërat që bëjnë gratë”, kështu që ajo iu bashkua një vëllazërie shqiptare që njihet si “burrneshat dhe e quajti veten si Duni. “Mora një vendim personal dhe më pas u thash të tjerëve: Unë jam burrë dhe nuk dua të martohem”, kujton Duni momentet e para kur i kishte treguar familjes për vendimin e vet.

Sot shumë pak gra duan të bëhen ato që antropologët i quajnë “virgjëreshat e betuara” të Shqipërisë, një traditë që ka nisur shekuj më parë. Ata betohen për beqari të përjetshme dhe gëzojnë privilegje mashkullore, si e drejta për të marrë vendime familjare, për të pirë duhan, për të pirë dhe për të dalë vetëm.

Duni tha se zgjedhja e saj u pranua nga pjesa më e madhe e njerëzve, edhe pse nëna e saj insistonte që ajo të ndryshonte mendje deri ditën kur vdiq në 2019. Ashtu si burrneshat e tjera, Duni, e cila në dokumente zyrtare është ende Gjystina Grishaj, njerëzit I drejtohen asaj në mënyrë tradicionale, pa përdforur në asnjë moment përemrat në gjininë femërore por nuk e konsideron në asnjë moment veten si transgjinore.

Vëllazëria, të cilës Duni iu bashkua gati 40 vjet më parë po vdes ngadalë, pasi Shqipëria po ndryshon vazhdimisht dhe edhe në zonat rurale paternaliste, gratë e reja gëzojnë më shumë mundësi. Fshati i saj, i cili është i krishterë, si pjesa më e madhe e veriut të vendit, vitet e fundit ka filluar të zhdukë ngadalë izolimin klaustrofobik, falë ndërtimit të një rruge gjarpërushe nëpër male që tërheq vizitorët e shumtë e në të njëjtën kohë siguron një rrugëdalje për gratë vendase me dëshirë të fortë që duan të jetojnë jetën e tyre.

Mes atyre që tani janë në gjendje të zgjedhin rrugë të ndryshme në jetë, është edhe mbesa e Dunit, Valerjana Grishaj. Ajo është 20 vjeçe dhe ka vendosur që në adoleshencë të linte malet dhe të transferohej në Tiranë, në kryeqytetin relativisht modern të Shqipërisë. Fshati, tha jo nuk është vend për mua, teksa pinim kafe në një kafene në Tiranë.

“Të gjithë shoqet e mia atje janë martuar që kur ishin 16 vjeç”, tha ajo. Por zonusha Grishaj tha se e kuptonte se përse tezja e saj mori vendimin për tu shëndrruar në burrneshë. “Nuk kishte gra të forta, të pavarura”, tha ajo. “Për të qenë e tillë, duhet të bëheshe burrë”.

Në fakt të gjithë në fshatin e saj të Lepushës besonin se burrat do të kishin gjithmonë më shumë fuqi dhe respekt, kështu që mënyra më e mirë për një grua që të ndante privilegjin e tyre ishte të bashkohej me ta, në vend që të përpiqej t’i mposhte ata. Teksa analizonte katër dekada të jetës së saj ku vishet, sillet dhe trajtohet si burrë ajo thotë “Si burrë, merr një status të veçantë në shoqëri dhe në familje. Unë kurrë nuk kam veshur një fustan dhe kurrë nuk jam penduar për vendimin tim”, tha Duni.