Nga Arjan Ndoja i ‘atentatit’ te gjyqtari që shpëtoi Bashën, dosjet e ‘nxehta’ të Vetingut në shtator

0
83

Nga Adriatik Doci

Pas pushimeve të gushtit, gjatë ditëve të para të shtatorit, vëmendja do të rikthehet edhe një herë tek organet e Vetingut, për shkak të shqyrtimit të pritshëm të dosjeve të ‘nxehta’, për fatin e disa emrave të njohur të sistemit të drejtësisë. Komisioni i Vetingut i shkallës së parë, pritet të caktojë javën e parë të shtatorit seancën dëgjimore, për të njohur prokurorin e Tiranës, Dritan Gina, me rezultatet e hetimit 20-mujor për veprimtarinë e tij në drejtësi. Gina ishte ftuar nga KPK për t’u paraqitur në seancë dëgjimore që në 16 korrik 2021, por prokurori arriti ta shtynte përballjen me Vetingun deri në shtator, fillimisht duke paraqitur një raport sikur ishte sëmurë dhe më pas me anë të disa manovrave procedurale si dhe kërkesave për përjashtimin e anëtarëve të trupit gjykues.

Dritan Gina është bashkëshorti i Rovena Gashit, ish-drejtuese e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme. Gashi u shkarkuar si prokurore në vitin 2019 për pasuri të pajustifikuar bashkë me babanë me vlerë rreth 930 mijë USD. Gjatë kësaj vjeshte, KPK pritet të vendosë për konfirmimin ose shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit Arian Ndoja, i cili ishte objektiv i një atentati në fillim të muajit nëntor të 2019 tek rrethrrotullimi i Shkozeti. Nga atentati mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën shoferi Andi Maloku.

Ndoja ishte në makinë me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe edhe si Landi Muharremi, ‘i forti i Sukthit’, por edhe si ‘Rrumi’, i dyshuar se urdhëroi rrahjen e amerikano- libanezit Fadi Mitri, për çështjen e konfliktit të 45 mijë metra katror tokë shtetërore në Gjirin e Lalzit. Në makinën e prokurorit çuditërisht u gjend dosja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i vrarë në një atentat mafioz në Vlorë si dhe disa dokumente të vjedhura. Në vitin 2013 rezulton se bashkëshortes së Arian Ndojës, Elderina Frrok Ndoja, i kanë dhuruar 6 prona me sipërfaqe 196 211 metra katrorë në Durrës. Prokurori Arian Ndoja, në deklaratën fillestare të pasurisë në vitin 2003, rezulton se nuk ka pasur as banesë, ndërsa në vitin 2016 prokurori ka në pronësi 23 apartamente, dy lokale, disa bodrume, garazhe dhe makina. Procesi i Vetingut për Arian Ndojën ka nisur që në dhjetor të vitit 2019.

Me Vetingun pritet të përballet edhe gjyqtari i Tiranës, Lazër Sallaku, për të cilin procesi i Vetingut ka nisur që në muaj qershor të vitit të kaluar. Emri i gjyqtarit Lazër Sallaku është i lidhur tashmë me mbylljen e dy dosjeve të bujshme. Lazër Sallaku mbylli dosjen e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, për çështjen e lobimit me para ruse, ndonëse lobimi u provua. Po ashtu, Lazër Sallaku mbylli edhe dosjen CEZ, me mbi 400 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ku të kallëzuar ishin ish-kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha, sekseri kyç Nuel Kalaj, ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Ruli, Florion Mima, ish-zëvendësministra, ish-drejtorë etj. Në vitin 2012, Sallaku deklaron se bashkëshortja e tij Alma Sallaku ka marrë një dhuratë prej 40 mijë eurosh nga nëna e saj, me rastin e martesës.

Me Komisionin e Vetingut pritet të përballet edhe gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së parë Tiranë, Avni Sejdi. Ky i fundi ishte një gjyqtar i palakuar në media dhe qarqe diplomatike, deri vjeshtën e vitit 2019, kur pranoi kërkesën e kompanisë Albania Duty Free Distribution, me pronare bashkëshorten e gjyqtarit Gjin Gjoni, Elona Çaushi, për shfuqizimin e vendimit të Ministrisë Ministrirë së Financave për t’i anuluar autorizimin për për ushtrimin e aktivitetit tregtar në ambientet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, për të cilat kompania e Çaushit kishte humbur tenderin dhe i ka mbaruar kontrata me TIA. Në vitin 2005, gjyqtari deklaron një kontratë për blerje apartamenti në Tiranë me vlerë 4 720 000 lekë, ku si burime të ardhurash për të justifikuar blerjen e apartamentit, deklaron edhe 14 mijë euro dhuratë nga vëllezërit.

Ndërkaq, në Kolegjin e Posaçëm të Apelit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut, pritet të shqyrtohet dosja e gjyqtares së Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari, e cila u shkarkua në qershor të vitit 2020, pasi nuk justifikonte një pasuri me rreth 1 milionë USD dhe se kishte fshehur heqjen e vizës amerikane. Fatmira Hajdari ka depozituar një padi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku kërkon rikthimin në detyrë. Vendimet e shkarkimit apo të përjashtimit për 15 vjet nga drejtësia, kërkojnë që t’i përmbysin në Kolegjin e Apelimit edhe subjektet Evjeni Sinojmeri, Maria Qirjazi, Gramoz Levanaj, Bilbil Mete, Shpresa Beçaj, Tritan Hamitaj, Petrit Aliaj etj.(Shqiptarja.com)