Nuk ndalet rritja e cmimeve Bëhen më shtrenjt dhe kafet e restorantet…

0
117

Të ulesh në kafe apo të drekosh në një restorant tashmë kushton më shtrenjtë. INSTAT bëri të ditur se indeksi i Çmimeve të konsumit, kafe – restorante (catering), në gusht ishte 101.3, ose rreth 1.3% më e lartë se në dhjetor 2020, që shërben dhe si referencë e këtij indeksi (dhjetor 2020=100).

Ky është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë që kur raportohet kjo e dhënë nga INSTAT. Rritja ka filluar që në muajt e parë të vitit, por është përshpejtuar më tej gjatë verës. Në shumë bare çmimi i kafesë është rritur me 10 lekë, duke variuar në 90 apo 100 lekë, ndërsa ende ka bare që e kanë ruajtur çmimin në 80 lekë.

Operatorët e tregut pohojnë se një nga arsyet lidhet me shtrenjtimin e kafesë në tregjet ndërkombëtare. Kontratat e të ardhmes për kafenë robusta, e cila përdoret shpesh për të bërë ekspres, në fund të gushtit arritën deri në 2,024 dollarë për ton, niveli i tyre më i lartë në katër vitet e fundit. Analistët citojnë si shkaqet kryesore motin e keq në Brazil, si dhe kufizimet e Covid-19 në Vietnam. Brazili, që është prodhuesi më i madh i kafesë në botë u godit nga një thatësirë ​​e keqe këtë vit dhe u pasua nga ngrica, e cila ka dëmtuar seriozisht bimën e kafesë në vend, sipas CNN.

Biznesi i bareve dhe restoranteve ishte ndër më të goditurit nga karantina dhe pandemia dhe ende vijon të vuajë pasojat e saj. Të dhënat të tjera të INSTAT për indeksin e vlerës së bareve e restoranteve tregojnë se në tremujorin e parë 2021, konsumi në bare e restorante ishte rreth 6% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (kur sapo kishte filluar pandemia e Covid-19) dhe 10% më pak se në janar-mars 2019, kur gjithçka ishte në normalitet dhe biznesi i bareve e restoranteve shënoi vitin më të mirë historik.

“Sektori ende nuk e ka marrë veten nga pandemia dhe nuk besoj se do të arrijë të rikuperohet para vitit 2022. Për të arritur nivelin e vitit 2019 duhet të presim pranverën e vitit 2023. Hapja e kufijve dhe largimi i shqiptarëve jashtë për pushimet e verës (pothuajse kishin dy vjet pa lëvizur) ishte një tjetër faktor që ndikoi në mosarritjen e nivelit të frekuentimit si para krizës”.