Olta Xhaçka kërkon njohjen e Kosovës, ambasadori serb i thotë të mos përzihet

0
35

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një takim me ambasadorin e ri të Serbisë në Shqipëri, Slobodan Vukçeviq, ka thënë se njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë është çelës për ndërtimin e një të ardhme të qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor. E në përgjigjen e tij, Vukçeviq i ka kërkuar të mos përzihet në “çështjet e brendshme”.

Të mërkurën, ministrja e Jashtme e Shqipërisë njoftoi për takimin me Vukçeviqin. Ajo shkroi në Twitter se dy shtetet kanë “bërë progres duke lënë prapa të kaluarën e vështirë”, megjithatë ka shtuar se ende ka hapësirë për të përmirësuar bashkëpunimin dhe raportet ndërshtetërore.

“Marrëdhëniet fqinjësore Shqipëri–Serbi, njohja reciproke Kosovë-Serbi, janë kyçe për të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ajo.

Ndërkaq, në përgjigjen e tij, Vukçeviq ka thënë se pajtohet që ka hapësirë për përmirësim të raporteve, teksa ka shtuar se nuk ndihmohet me përzierje.

“Edhe ne besojmë se ka hapësirë për të përmirësuar raportet, përderisa është e bazuar në respekt – ndërhyrja në punët e brendshme të njëri-tjetrit nuk ndihmon”, ka shkruar Ambasada e Serbisë në Shqipëri.