“Pakti u prish”, ambasadorja Kim mesazh PD-së para intervistës së Sali Berishës? Media: Zbulohet komunikimi sekret

0
334

Ambasada Amerikane në Tiranë duket se po bën çmos që ish-kryeministri Sali Berisha të mos jetë në parlament të premten e ardhshme.

Kjo të paktën sipas një mesazhi “sekret” që pretendohet se diplomatja amerikane ia ka dërguar zyrtarëve të lartë në PD, ditën e ndjeshme vetëm pak kohë para se Berisha të shfaqej në një intervistë televizive ku do të konfirmonte praninë e tij në parlament.

Lapsi.al thotë se drejtuesve të PD-së i është dërguar ditën e djeshme një mesazh nga “selia në Rrugën e Elbasanit” me tekstin “Pakti u prish, tani është radha jonë të flasim”.

Nëse mesazhi është i vërtetë, disa pyetje ngrihen lidhur me paktin që Kim ka lidhur me drejtuesit demokratë. A ka të bëjë prishja e paktit me daljen e Berishës në televizion, ku konfirmoi qëndrimin për të shkuar në parlament, apo pakti ka qenë i kufizuar me një afat, për të marrë një vendim nga kryesia e PD për ish-kryeministrin?

Ndoshta këtyre pyetjeve do t’i japë një përgjigje më të qartë vetë Ambasada e SHBA, ndaj s’na mbetet gjë veç se të presim “radhën e tyre që të flasin”.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha ditën e djeshme se do të shkojë në parlament, për “të mbrojtur dinjitetin e tij dhe sovranitetin e vendit”. Berisha është shpallur non-grata nga Departamenti i Shtetit me akuza të rënda të korrupsionit masiv, ndikim në drejtësi e të tjera.