ADS
HomeLajmePo skadon “ultimatumi” i Yuri Kim, a do të ketë një afrim...

Po skadon “ultimatumi” i Yuri Kim, a do të ketë një afrim Rama-Basha?!

Nga Ylli Pata

Tritan Shehu, si i vetmi realisht që ka mbështetur Sali Berishën nga figurat e PD-së, pas ndëshkimit të SHBA-së ndaj tij, e kishte rënduar dorën në debatin bajat për “dështimin e Amerikës në Afganistan”.

Ish-ministri i Jashtëm, në qasjen e tij se SHBA duhet ta heqë mbështetjen ndaj Ramës se ai është si qeveria afgane që rrëzuan talebanët, duket se kishte rritur dozën për të kënaqur doktorin.

Megjithatë, fakt është që me ardhjen e afganëve në Shqipëri sot në mbrëmje, mbyllet edhe një zallamahi e gjatë debati absurd për një çështje që realisht u ekzagjeruar më shumë se çduhet.

Në fakt, ajo që do të duhet të diskutohet realisht është pikërisht ai afat apo “ultimatum” që ambasadorja amerikane i ka vënë Lulzim Bashës dhe Edi Ramës për shtatorin.

Një qasje, ajo e Shteteve të Bashkuara, që siç dhe pritej do të sulmohej nga ato qarqe që janë pranë Berishës e Metës. E në fakt, nuk kanë folur realisht ata që duhet të shprehen.

Qarqet e mazhorancës, por mbi të gjitha Lulzim Basha dhe njerëzit e rëndësishëm që mbështesin atë në Partinë Demokratike.

Çfarë do të bëjë PD-ja në sezonin e ri politik, ku ka dy pika të rëndësishme si kërkesë nga partnerët më të rëndësishëm të Shqipërisë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të marrë një vendim për Sali Berishën, pra që ta largojë nga grupi parlamentar dhe të nisë një stinë të re politike për të bashkëpunuar me mazhorancën.

PD, tani duhet të shprehet nëse është dakord për këto pika, apo i kundërshton, do një stinë të re politke me socialistët, apo do të vijojë përplasjen si në 4 vjeçarin e shkuar?

Natyrisht që ata që e sulmojnë këtë “stinë të re politike” e nxjerrin në treg si një “qeverisje Rama-Basha”, por që realisht nuk duket të jetë konceptuar e tillë, nga ata që e propozuan, pra amerikanët.

Logjikisht, kjo shikohet si një marrje nga opozita të përgjegjësive politike në Parlament dhe institucione të tjera, duke pasur në dorë drejtimin e disa trupave të shtetit. Ndoshta që nga Kuvendi, apo edhe institucione të tjera të rëndësishme brenda e jashtë tij. Një rol aktiv, që opozitës i ofrohet është edhe zgjedhje e Kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pas përfundimit tashmë të mandatit të kryetarit aktual, apo edhe institucione të tjera që janë pjesë e drejtësisë së re.

Pra Bashës i propozohet motamo që të bëjë atë që hodhi poshtë për 8 vjet. Siç e dimë, e gjitha ndodhi për ta rrëzuar Ramën në tavolinë, gjë që nuk ndodhi.

Duket se në këtë plan ndërkombëtar, ka edhe një frenim të fuqisë së mazhorancës së Edi Ramës në mandatin e tretë, por këto janë deri tani në teori. Gjithsesi ja vlen të debatohen, në radhë të parë nga zotërit e punës: Edi Rama e Lulzim Bashës, e natyrisht më pas opinioni publik. Pasi diskutimi i një stine të re politike në vend, nuk duhet të kushtëzohet nga kërcënimet që vijnë nga aksi Berisha-Meta, i cili natyrisht që do të shantazhojë çdo përpjekje të tillë.

Siç shantazhohen në rrjet kushdo gazetar që kritikon apo mendon në mënyrë kritike ndaj dy politikanëve më të fuqishëm të 30 vjetëve.

Madje, ky debat duhet të prevalojë realisht që idetë e sezonit të ri politik ta ushqejnë nisjen e tij, e jo të vijmë në fund me një marrëveshje apo pakt ashtu si nata e 17 marsit, ku duket se gjithçka erdhi nga një “takim në errësirë”.

Duket se ka mpirje nga të dy palët për atë që flitet dhe po presin çfarë do të nxjerrin nga goja të mëdhenjtë;pra Rama e Basha.

I vetmi që ka folur kohët e fundit është Petro Koçi, një veteran i riardhur në politikë që nuk e ka humbur logjikën e protaginizmit për të mbrojtur idetë e veta. Në PS kanë rënë squk të gjithë, kurse në PD janë të terrorizuar që të flasin diçka për liderin historik, ç’ka ka krijuar një autocensurë për të dhënë idetë se si e kërkon opozita këtë 4 vjeçar apo këtë sezon politik.

Ndryshe do të vijojmë të dëgjojmë “të shtënat” qorre të mediave të Berishës apo edhe të qasjeve të Tritan Shehut. Shenja që tregojnë se realisht opozita nuk i ka zyrat atu ku rri Lulzim Basha, pra në SHQUP, por tek qoshja e panjohur e “kuzhinës propagandistike të qytetarit digjital”./TemA

Must Read