HomeLajmeReshjet e para të borës nëpër ultësira!

Reshjet e para të borës nëpër ultësira!

Gjithnjë e më shumë po rriten gjasat që të kemi reshjet e para të borës nëpër ultësirat e Republikës së Kosovës.

Fjala është për dy ditët e fundit të këtij muaji dhe gjasat më të larta për reshje bore është pikërisht dita e fundit e Nëntorit.

Deri atëherë na pret mot mjaft i ndryshueshëm, por jo aq i ftohtë, edhe pse priten vranësira të shpeshta të cilat pritet të na sjellin edhe reshje të herëpashershme shiu. Në viset malore reshje bore priten edhe përpara kësaj date.

Sot po fokusohemi në natën mes 29 dhe 30 Nëntorit kur nga veriu do të kemi depërtimin e fronti të parë serioz dimëror. Me uljen e ndjeshme të temperaturave dhe erërave të ftohta veriore përpos viseve kodrinore-malore fjollat e borës pritet të fillojnë edhe nëpër shumë ultësira të Republikës së Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës.

Në viset kodrinore-malore të rajonin gjatë ditëve të ardshme priten reshje të dendura bore, por nganjëherë ato mund të jenë të miksuara me reshje shiu për shkak të rrymimeve ajrore nga jugu. Pas depërtimit të frontit të ftohtë priten vetëm reshje bore të cilat nganjëherë mund të jenë edhe intensive. Reshje nganjëherë intensive bore priten në malet e Rugovës, veri të Shqipërisë, malet e Maqedonisë së Veriut dhe normalisht në malet e Malit të Zi.

Reshje mjaft intensive shiu priten në veri dhe veriperëndim të Shqipërisë. Këto reshje mund të jenë mjaft problematike ngase priten reshje me të vërtetë mjaft të fuqishme dhe intensive. Reshje të dendura shiu vende-vende priten edhe në qendër të Shqipërisë, në bregdet dhe po ashtu edhe në jug të vendit.

Edhe në Dukagjin mund të ketë reshje mjaft intensive sidomos në rajonin e Pejës, Gjakovë, Deçan, Junik etj.

Me uljen e temperaturave reshje bore priten në veri të Shqipërisë dhe ato mjaft intensive, pastaj në lindje dhe juglindje të vendit. Reshje bore mund të ketë edhe në viset tjera të Shqipëris në viset kodrinore-malore. Reshje të fuqishme bore përpos veriut të skajshëm të Shqipërisë priten edhe në Mal të Zi dhe reshje të dendura bore mund të kemi edhe në malet e Rugovës për shkak të afërsisë gjeografike me malet e Malit të Zi dhe veriut të Shqipërisë.

Reshjet e borës nuk do të mungojnë as në malet tjera, por pritet të jenë më pak intensive.

Pra, shijoni edhe sot motin e mirë, ngase nga nesër fillojnë shirat e herëpashershme. Fillimisht nuk priten ulje të temperaturave dhe përpos shirave priten edhe intervale kohore me diell. Nga e diela ose e hëna përkeqësim i dukshëm i motit dhe ulje e fortë e temperaturave sidomos të hënën ku mund të kemi edhe borën e parë në ultësirat e Republikës së Kosovës./MeteoBallkan

Must Read

spot_img