HomeLajmeRrëfimi prekës për Sherif Merdanin: Si e çonte vëllain 3 muajsh përditë...

Rrëfimi prekës për Sherif Merdanin: Si e çonte vëllain 3 muajsh përditë në burg, që nëna t’i jepte gji

Sherif Merdani, “Mjeshtër i Madh” i këngës ndërroi jetë dje në moshën 81 vjeçare. Kujto.al ka publikuar një pjesë nga rrëfimi prekës i djalit të xhaxhait të tij, Ylber Merdani, i cili tregon se si bashkë me Sherifin dërgonin të vëllain e tij në burg.

“Kishin arrestuar bashkëshorten e Qemalit, Yleme Merdanin ose nënën e Sherif Merdanit. Ylemeja, veç Sherifit, kishte edhe një fëmijë dy-tre muajsh, Meleqin, por askush nuk pyeti për këtë gjë.

Njerëzit e sigurimit e morën me vete duke ia hequr djalin nga gjiri. Sherif Merdani dhe vëllai i tij, Meleqi, mbetën jetim.

Dy prindërit e tij ishin në burg. Vëllai i Sherifit, që ishte 2-3 muajsh, kishte nevojë për gji. Që nga arrestimi i nënës së tij, ai vetëm qante…

Askush nuk ishte në gjendje ta pushonte. U mendua se çfarë mund të bëhej me këtë fëmijë dhe në mëngjes, nëna më tha mua dhe Sherifit, se duhej të merrnim fëmijën e vogël dhe ta çonim në burg, që nena t’i jepte për të pirë. Ashtu bëmë.

Unë dhe Sherifi ishim të vegjël, një pjesë të rrugës e merrte ai, ndërsa më pas e merrja unë. Meleqin e çonim tre herë në ditë në burg, ku nëna e Sherifit i jepte gji fëmijës.

Për shumë kohë, Meleqi u bë vizitor i rregullt i burgut, deri sa një ditë një doktor, Selaudin Bekteshi kishte thënë: “Ose lironi gruan, ose çoni dhe fëmijën në burg, sepse në të kundërt fëmija mund të vdesë”. Fatmirësisht Ylemeja u kthye në shtëpi, ndërsa vazhdonte të mbahej në burg i shoqi”, ka thënë djali i xhaxhait të Sherif Merdanit.

Sherif Merdani ndërroi jetë dje në moshën 81-vjeccare. Ai Lindi në Korçë, në vitin 1940. Pas Festivalit XI në Radio-Televizion, si disa kolegë të tij, u arrestuan dhe me vendim nr. 67, datë 2 tetor 1973, Gjykata e Rrethit të Librazhdit e deklaroi fajtor për “agjitacion e propagandë” dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Teksa po vuante dënimin në burgun e Spaçit, u ridënua me 10 vjet të tjera. U lirua në korrik 1989 pasi kish vuajtur për 16 vjet e një muaj në Spaç, Burrel e Qafë Bari.

Must Read

spot_img