Rudina Hajdari kundër të gjithëve: Nuk kthehem në PD për sa kohë është kryetar Lulzim Basha! Berisha nuk ka çfarë të japë më shumë

0
48

Ish-deputetja Rudina Hajdari ka deklaruar ditën e sotme se nuk do të kthehet në Partinë Demokratike për sa kohë kryetar është Lulzim Basha.

“Nuk bëhem pjesë e Partisë Demokratike deri në momentin që të bindem që kryetari apo kushdo që të jetë në krye të partisë nuk më inspiron dhe nuk më jep dëshirën që të punoj me të. Deri në atë moment unë nuk mendoj që do të merrem dot”, tha Hajdari në “Top Talk”.

Ajo foli edhe për situatën në të cilën ndodhet PD dhe për betejën e ashpër mes Bashës dhe Berishës, ku sipas saj, të dy këta politikanë po mbajnë peng partinë, ndaj PD ka nevojë për një reformim të thellë.

“Janë të njëjtët njerëz që kanë bërë përjashtime, kanë përjashtuar njerëz nga partia dhe janë sjellë në mënyrën si janë sjellë. Të gjithë i dimë këto situata. Nuk kemi nevojë tani të shikojmë pikëpamjen historike. Në momentin që çdokush ka dalë kundër kryetarit, është përzënë. Tani po ndodh rëndom, por ka ndodhur edhe gjatë kohës kur kryetar ishte Berisha.

Ndaj, si mund të besohet që mund të ketë hapje të Partisë Demokratike nëse janë po të njëjtët kryetarë që kanë bërë po të njëjtën sjellje. Sot, PD nuk duhet të mbahet peng nga dy persona apo njerëz të tjerë që ne mund të gjejmë dhe mendoj se demokratët duhet të shkojnë përtej interesave të kryetarëve. Mendoj që PD-ja është më e rëndësishme se aq. Ka më shumë vlera se dy kryetarët e saj”, u shpreh ajo.

Përsa i përket deklaratave të Berishës për rikthimin në krye të PD-së, Hajdari tha se ish-kryeministri nuk ka se çfarë të japë më.

“Berisha ka qenë në krye të asaj partie për një kohë shumë të gjatë dhe i ka dhënë shumë partisë dhe vendit. Nuk ka çfarë të japë më shumë. Ai me gabimet e veta ka marrë sa ka mundur nga kjo parti dhe nga Shqipëria. Ka qenë në poste shumë të rëndësishme”, tha Hajdari.