Sali Berisha: Partia Demokratike është satelit i Edi Ramës

0
108

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të kreut të PD-së Lulzim Basha për ta përjashtuar nga partia edhe në emisionin Opinion.

Berisha ka thënë se Lulzim Basha e mori në telefon 30 minuta para se të bënte deklaratën për mediat, duke treguar se kryedemokrati Basha ia ka komunikuar në këtë mënyrë vendimin për ta përjashtuar nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Ndër të tjera, ai hodhi akuza ndaj Bashës, pasi tha se me këtë vendim zgjodhi të shkatërrojë Partinë Demokratike, teksa shtoi se që sot PD nukë është asgjë tjetër veçse një satelit i Edi Ramës.

“Zoti Basha ka zgjedhur shkatërrimin e PD-së nga sovraniteti i saj. E kuptoj se fuqinë e jashtëzkonshme të SHBA, por PD mund të jetë një parti e vlefshme, solide, vetëm si një parti sovrane. PD mund të jetë një aleate e vërtetë e SHBA dhe e çdo vendi tjetër të lirë, vetëm si parti sovrane dhe në asnjë mënyrë si parti e cila për rrethana që i di Lulzim Basha, pranon të shkatërrojë sovranitetin e saj.

Basha më ka marrë në telefon gjysmë ore para se të bënte komunikimin në media dhe i kam thënë këto fjalë që po them. E kuptoj se ka qenë në presion të madh, por ka vendime që njeriu nuk pranon t’i marrë kurrë. Jep 10 herë dorëheqjen para se t’i marrë. Sot PD është shndërruar në një parti pa sovranitet, e cila dorëzohet e tëra lobimit korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros. Basha mund të futej në sanksione, partia mund të futej në sanksione, por më mirë të mbetej sovrane. Kur të dorëzosh sovranitetin, e ke asgjësuar forcën politike. Këto ia thashë zotit Basha. Që sot, PD s’është gjë tjetër veçse një satelit i Edi Ramës”, tha Berisha në Opinion.