HomeLajme“Shpifje e trillime, do të përballet me ligjin”, Dent Fix paralajmëron padi...

“Shpifje e trillime, do të përballet me ligjin”, Dent Fix paralajmëron padi për mërgimtaren që akuzoi publikisht

Mërgimtarja Teuta Gashi ka akuzuar publikisht Fehim Halitin, pronar i Ordinancës Stomatologjike në Prishtinë “Dent Fix”, për ngacmim seksual, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe mosdhënie të ndihmës mjekësore.

E njëjta kishte denoncuar Halitin për këto vepra, por Prokuroria Themelore në Prishtinë hodhi poshtë kallëzimin penal të parashtruar nga ajo. Pas akuzave të mërgimtares, për Gazetën Sinjali ka folur avokati Besnik Berisha, përfaqësues i autorizuar i “Dent Fix”.

Për deklaratat e Gashit, Berisha ka paralajmëruar padi për shpifje dhe kallëzim penal për denoncim të rrejshëm. Sipas tij, deklarimet e tilla janë të orkestruara dhe të motivuara për përfitime personale.

Avokati Berisha shtoi se pretendimet e denoncuesit janë konstatuar edhe nga Prokuroria si të pavërteta, prandaj klinika “Dent Fix”, do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për shpifjet dhe trillimet të kujtdo.

“Janë pretendime absolutisht të pasakta, të motivuara për përfitime personale dhe të orkestruara nga njerëz që kanë qëllim dëmtimin e imazhit të njërës nga klinikat më moderne dhe më të suksesshme në vend dhe regjion.

Sigurojmë këdo që i ka dëgjuar apo lexuar pretendimet e denoncueses se çdo fjali e thënë për media nga ajo është hetuar nga prokuroria dhe është konstatuar si e pavërtetë.

Për shpifjet dhe trillimet e saj ajo do përballet me padi për shpifje dhe kallëzim penal për denoncim të rrejshëm.

Klinika Dent Fix do vazhdojë t’u shërbejë pacientëve me zell e përkushtim, ndërkaq për këdo që shpif e trillon, do ndjek rrugët ligjore gjithmonë!”, tha Berisha për Sinjalin.

Gazeta Sinjali pas pak do të publikojë arsyetimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë që hodhi poshtë pretendimet e mërgimtares Teuta Gashi, ndaj pronarit të “Dent Fix”, Fehim Halitit./GazetaSinjali/

Must Read

spot_img