Shqipëria po tkurret Flutura Açka: Nuk ka asgjë më kriminale se t’ua bësh të pamundur atdheun qytetarëve të tu. Ja si mund ta ndreqim demokracinë

0
177

Shkrimtarja Flutura Açka thotë se Shqipëria po tkurret çdo ditë. Në një status në Facebook, ajo ngre shqetësimin e ikjes së shqiptarëve nga Atdheu. Sipas saj kjo ndodh për shkak të pasigurisë për të ardhmen.

Sipas Açkës, shifrat e lindshmërisë së këtij viti, janë trishtuese dhe ndjekin fatin e viteve të tjera. ‘Vetëm në tremujirin e dytë të 2021-shit, lindjet ranë me 10.6%’, shprehet deputetja.

Për largimin e të rinjve nga vendi, Açka bën fajtore qeverinë, që sipas saj ia ka vështirësuar më shumë jetën.

“Nuk ka asgjë më kriminale se t’ua bësh të pamundur atdheun qytetarëve të tu, të cilët i gënjen çdo ditë. Ndaj familja shqipare është sot më e goditura, më e pasigurta, më e kërcënuara, më e zhbëra; jo nga luftërat dhe arsye të tjera, por nga politika e përditshme armiqësore e pushtetit të vendit të vet, që i sheh shqiptarët si të tepërt e tokës së tyre, duke shkaktuar në një dhjetëvjeçar një zhbërje të frikshme të tij”, thotë Açka.

Po kush është zgjidhja sipas saj? “Kushdo që e ndien të jetë pjesë e betejës për kthimi shpresës dhe dinjitetit të familjes shqiptare, ka vetëm një mundësi: të bashkohet me Opozitën në Platformën Qytetare për Demokracinë. Vetëm kështu do të mund ta ndreqim demokracinë dhe t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, e zënë peng nga një pakicë e sponsorizuar nga regjimi që na ka pushtuar”, mbyll postimin deputetja e zgjedhur.

Postimi i plotë

Shqiptarët po mpaken, Shqipëria po tkurret!

Shqipëria po mpaket përditë. Ikin shqiptarët nga atdheu që nuk u jep mundësinë të jetojnë me dinjitet. Nga të rinjtë që enden kafeneve përditë dëgjon vetëm të ankohen për papunësinë dhe mungesën e perspektivës. Pasiguria e së ardhmes i ka tutur familjet e reja shqiptare për të patur fëmijë, mijëra të tjerë të rinj nuk e shohin më atdheun e tyre si vendin për të ndërtuar familjen. Shifrat e lindshmërisë së këtij viti, janë trishtuese dhe ndjekin fatin e viteve të tjera; vetëm në tremujirin e dytë të 2021-shit, lindjet ranë me 10.6%.

Shqiptarët po mpaken, Shqipëria po tkurret, por jo taksat për më të shumtët e tyre, që ua kanë vështirësuar jetën. Shqipëria është parajsë fiskale vetëm për një pakicë të zgjedhur të oligarkëve të oborrit rilindas, e cila gëzon bekimin e qeverisjes së korruptuar dhe kontrollin mbi paratë dhe djersën e shqiptarëve. Të gjitha premtimet për rritje pagash e pensionesh, mbetën në propagandën e tetë viteve të pushtetit të socialistëve, ndërkohë që miqtë e Edi Ramës kanë ekzkluzivitetin mbi përdorimin e pasurisë sonë kombëtare.

COVID-19 e zbuloi farsën e shërbimit shëndetësor falas, shkatërrimi i shkollave, mbyllja e shumë degëve universitare, tregoi gjendjen e sistemit tonë arsimor. Edhe siguria publike është në kushte të mjerueshme. Shqiptarët nuk kanë më besim te shteti i tyre. Pasuritë publike nuk janë më e mira publike e përbashkët, shqiptarëve u duhet të paguajnë për gjithçka dhe të mbajnë me punën e tyre një grusht të pangopurish të zgjedhur të qeverisë. Ata administrojnë sot atdheun, bashkë me levat e kontrolluara të qeverisjes. Shqipëria ështē në ankandin e madh të babëzisë.

Nuk ka asgjë më kriminale se t’ua bësh të pamundur atdheun qytetarëve të tu, të cilët i gënjen çdo ditë. Ndaj familja shqipare është sot më e goditura, më e pasigurta, më e kërcënuara, më e zhbëra; jo nga luftërat dhe arsye të tjera, por nga politika e përditshme armiqësore e pushtetit të vendit të vet, që i sheh shqiptarët si të tepërt e tokës së tyre, duke shkaktuar në një dhjetëvjeçar një zhbërje të frikshme të tij.

A do ta lejojmë ende këtë erozion që po na ndodh? Kushdo që e ndien të jetë pjesë e betejës për kthimi shpresës dhe dinjitetit të familjes shqiptare, ka vetëm një mundësi: të bashkohet me Opozitën në Platformën Qytetare për Demokracinë. Vetëm kështu do të mund ta ndreqim demokracinë dhe t’ia kthejmë Shqipërinë shqiptarëve, e zënë peng nga një pakicë e sponsorizuar nga regjimi që na ka pushtuar.