Shqiptarja rrëfen tmerrin që përjetoi nga burri: O Zot, çfarë po ndodh, nuk po mundem të marr frymë

0
66

Nuk i kishte shkuar asnjëherë në mend se ndonjëherë do t’i duhej të përgjëronte dikë, për ta lejuar të marrë frymë.

Mërgime Kajtazi, një juriste nga Mitrovica që vendosi ta lë familjen dhe karrierën në Kosovë, do të përjetonte dhunë fizike e psikike për rreth dy vjet nga bashkëshorti.

Në vitin 2016, ajo vendosi të fejohej dhe të shkonte të jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të dashurin kosovar, me të cilin kishte qenë në lidhje për dy vjet paraprakisht.

Menjëherë pas kësaj, pas presionit të të fejuarit, ajo u martua dhe vendosi të qëndrojë në Nju Jork.

“Diçka që nuk e kam ditur kurrë për të, ka qenë që është i dhunshëm”, tregon Mërgimja. Tri ditë pasi u vendos në banesë, nisi zënka e parë mes çiftit.

“Më kujtohet kemi qenë në dhomë të gjumit, ai ka qenë duke folur diçka dhe unë vetëm e kam kthyer kokën dhe i kam thënë se nuk dua ta dëgjoj”, tregon ajo për Radion Evropa e Lirë.

Mërgime Kajtazi, viktimë e dhunës në familje.
Menjëherë pas kësaj, ajo thotë se burri e kapi nga krahu dhe kokën e saj e mbajti të mbështetur në shtrat duke ia zënë frymën për rreth 30 sekonda.

“O Zot, çfarë po ndodh”, ishte gjithçka që Mërgimja mund të mendonte pasi thotë se ende nuk po e perceptonte se burri i saj, mund ta lëndojë në atë mënyrë.

Vetëm një javë më vonë, Mërgimja nisi punën dhe atë ditë, bashkëshorti e sulmoi dhe ia zuri frymën sërish, pas zemërimit se ajo kishte përdorur deodorant në kuzhinë.

“Aq ka qenë shokuese dhe këtë e kam marr si dështim personal. Unë e lashë punën, familjen dhe shoqërinë (në Kosovë). Truri im nuk e perceptonte se unë jam viktimë e dhunës”, thotë ajo.

Sulmet vazhduan, sipas saj, për arsye nga më të ndryshmet.

“Kur ai vendoste të më rrihte, unë e dija. Çfarëdo që unë do të thosha nuk kishte rëndësi”, tregon Mërgimja.

Ndër sulmet e shpeshta, sipas Mërgimes, përfshinin kafshime të duarve deri në gjakosje, shuplaka e grushte e deri në torturë që mos ta linte Mërgimen të flinte.

Ajo detyrohej edhe të kryente marrëdhënie seksuale me bashkëshortin, ndryshe do ta rrihte.

“Abuzuesit dhe viktimat nuk dallohen vetëm në dukje”

Duke u ndierë fajtore dhe shumë e frikësuar për t’i treguar familjes së saj, Mërgimja duroi torturë fizike për një kohë të gjatë.

Ndihmë nuk gjeti as nga familja e bashkëshortit, të cilët i thanë se “duhet ta rrudhësh gojën” dhe se “gratë e kërkojnë [dhunën]”.

Ajo tregon se ndihej e pashpresë edhe për faktin se gjendej e vetme, në një vend të huaj.

“Pata dalë njëherë nga shtëpia duke vrapuar deri te Stacioni i Policisë, por më ka zënë dhe më ka kthyer”, tregon ajo.

“E dija që nuk do të më besonte askush sepse është njeri sharmant”, tregon Mërgimja.

Diçka që ajo thotë se duhet ta dijë çdokush, është se dhuna në çift ndodh te njerëzit e profileve të ndryshme.

Ajo thotë se edhe aftësitë manipuluese të abuzuesve dhe ndjenja e fajit të viktimës, bën që viktimat të heshtin.

“Abuzuesit janë në të njëjtën kohë manipulantët më të mirë në shoqëri. Të manipulojnë aq shumë, sa që të bëjnë të dyshosh realitetin tënd”, thotë ajo.

Kulmi i kësaj situate arriti në vitin 2018. Ajo arriti ta incizojë atë, duke siguruar prova për sulmet që ia kishte bërë.

Policia e arrestoi bashkëshortin e saj. Ai kaloi një natë në burg, u dënua me punë të detyrueshme – shërbim në komunitet dhe u dërgua në një program rehabilitues lidhur me abuzuesit.

Mirëpo qetësia e Mërgimes i erdhi me urdhrin mbrojtës, që i siguronte asaj që bashkëshorti nuk do ta kontaktonte apo t’i afrohej, përndryshe do të dënohej me pesë vjet burgim.

Ajo tanimë vazhdon jetën atje dhe programet në SHBA i kanë ndihmuar të sigurojë lejeqëndrimin si dhe të marrë ndihmë psikologjike.

“Në Kosovë duhet të ndryshojë mendimi se gratë vlejnë më pak se burrat”

Megjithëse Mërgimja përjetoi dhunë në një shtet shumë më të zhvilluar se Kosova, ajo beson fuqishëm se kjo dhunë ka një burim në mendësinë patriarkale.

“Problemi më i madh në Kosovë është që [disa] burra shqiptarë rriten në atë mënyrë që përnjëmend mendojnë që kanë të drejtë të dhënë nga Zoti që ta rrahin një grua dhe ta ‘bëjnë njeri’”, thotë ajo.

Protesta e revolta kundër dhunës ndaj grave në Kosovë, u nisën sërish ditëve të fundit pas rastit të vrasjes së vajzës 18-vjeçare, nga Ferizaj të dielën më 22 gusht. Të dyshuar për këtë vrasje janë partneri i saj dhe një burrë tjetër.

Edhe Mërgimja i ka përcjellur reagimet lidhur me këtë rast, duke thënë se kultura e fajësimit të viktimës dhe arsyetimit të abuzuesve po vazhdon të jetë prezente.

“Dhunuesi është dhunues dhe marrja është e tij dhe kjo kurrë s’ka për të ndryshuar”, deklaron ajo.

Përveç që shteti, sipas Mërgimes, duhet t’i ketë mekanizmat e duhur për parandalim dhe dënim të dhunës ndaj grave, ajo thotë se shoqëria si dhe zëri i ngritur i viktimave të kësaj situate, mund t’i ndihmojë viktimat e tjera.

“Nëse historia ime i ndihmon vetëm një gruaje tjetër, ta nxjerrë veten prej kësaj situate, unë jam më e lumtura në botë”, thotë ajo.

Deri në qershor të vitit 2021, sipas Policisë së Kosovës, u shënuan dy raste të vrasjes së grave, ndërsa në vitin 2020 ishin vrarë shtatë gra.

Sipas të dhënave vetëm deri në qershor të vitit 2021, u shënuan 1.132 raste të dhunës në familje, 1.063 viktima nga këto raste ishin gra./ REL