“Sot këta të rinjtë nuk kapin zanat” 20 vite mbi çatitë e Korçës: Punën e lë, kur të më lërë Perëndia

0
49

Që prej vitit 2000 këtë burrë e gjen nëpër çatiat e qytetit të Korçës. Lartësia prej kohësh nuk i bën më përshtypje.

“Nuk më merren mend. Është pasioni im, është si skenë. Kati i 17-të më duket si kati i parë, kati i dytë”

Vaskë Risto punon si llamarinist e shpesh herë puna e dërgon në të tilla vende, si ky rast ku po riparon një ulluk të pallatit. Thotë se zanatin ia mësoi kunati, i cili ishte inxhinier.

“Ma ka mësuar kunati nga pasioni nga zelli nisa të punoj me atë. Punova tre vjet pastaj hapa dyqanin tim në tërë zonën. E kam pasion si punën e skenës. Kam qenë aktor, i kam rënë Shqipërisë anë e mbanë dhe këtë e kam pasion. Nuk bëj dallime punoj në fshat dhe në qytet e kënaqem kur i ndihmoj njerëzit” shprehet ai në intervistë për median.

Në Korçë gjen veçse dy llamarinistë të tjerë përveçse Ristos, pasi zanati është në ‘zhdukje’. E kur e pyet për rininë, ai thotë se ka patur dëshirë t’ua mësojë këtë punë, por sipas tij nuk ka njerëz të interesuar.

“Këta të rinjtë tani nuk afrohen, që të kapin një zanat. Ky zanat është i vështirë, por edhe i mirë. Ka edhe lekë kur shkon në vende të tjera, në Gjermani, në Greqi, etj. Nuk e duan se është i vështirë. Mora një djalë por nuk më erdhi më për të mësuar”-thotë Risto.

Nga ana tjetër familjarët e këshillojnë të mos punojë më në të tilla kushte të rrezikshme, por zanatçiu e ka mendjen të ndarë.

“Familja më ka thënë boll ndalo. Ashtu dhe fëmijët. Por unë, nuk ndaloj dot. Kur të më lërë Perëndia edhe unë do ta lë këtë punë”