Lajme

Speciale/ Kur dëshira për t’u bërë prindër kthehet në agoni! Çifti ka bërë gati rrobat e fëmijës që e presin prej 3 vitesh

Çdo fëmijë ka nevojë për një familje e çdo familje ndjen domosdoshmërinë e një fëmije.

Rregulli i pashkruar për të qenë të plotësuar në jetë nuk gjen zbatim.

Sot ka shumë fëmijë që braktisen nga braktisen nga prindër biologjikë e nga ana tjetër shumë çifte që nuk munden të lindin një fëmijë.

Gjyste dhe Lul Përdoda janë një prej tyre.

Por ata nuk duan ta kalojnë jetën vetëm, prandaj i janë nënshtruar proceduarave të birësimit. Rruga nuk është aq e lehtë për ta…

“Ky është byzylyku që do ia vëmë në dorë, ai e gëzoftë, inshallah kemi fat me e marrë” shprehet mes emocionesh Gjyste Përdoda.

“Edhe govatën e kam blerë për fëmijën për ta larë në dush” tregon bashkëshorti i saj Lul Përdoda.

Duan të bëhen prindër dhe besojnë se nuk është kurrë vonë të duash të plotësosh familjen.

Gjyste dhe Lul Përdoda u martuan 21 vjet më parë. U dashuruan dhe vendosën të mos ia lëshojnë dorën njëri-tjetrit deri sa vdekja t’i ndajë. Asgjë nuk ka ndryshuar për ta edhe pas 20 vitesh por 3 vjet më parë kuptuan se shtëpisë së tyre modeste në Fushë-Milot i mungonte zëri i një fëmije. Pritën gjatë për ardhjen e tij.

“Peng e kam në shpirt.”- thotë Gjyste Përdoda.

Vazhdojnë të presin edhe sot, por jo më një fëmijë nga trupi i tyre por një bir shpirti siç e quajnë ata vogëlushin që duan të birësojnë.

“Kemi vendosur të birësojmë një fëmijë, kemi një shprehje ne fshatarët, për të marrë bir e shpirt. Nuk ka gjë më të madhe se fëmija për jetën e njeriut. Pa fëmijë mos pafsha njeri” tregon Lul Përdoda i emocionuar.

-Gjyste dhe Lul Përdoda janë një prej 48 çifteve shqiptare që presin të birësojnë një fëmijë. Idea u lindi pasi kanë parë dhe dëgjuar raste birësimi edhe nga njerëz që kanë patur fëmijë apo që pavarësisht se ishin në moshë madhore donin t’u siguronin një strehë të braktisurëve nga prindërit biologjikë.

“Për mua, kanë bërë një gjest jashtëzakonisht të mirë, edhe ai që e ka mundësinë, jeton normalisht, pse jo. Është gjest human.”-shprehet Lul Përdoda.

Për të realizuar ëndrrën e tyre, Çifti Përdoda iu drejtua Komitetit Shqiptar të Birësimit. Atje u njoh me procedurat.

“Fillon me çiftin, dorëzon dokumente 2 seanca këshilliminsocial dhe dy studime psikosociale që bëhen nga stafi i komitetit. Këto këshillime janë të detajuara marrin kohë” shpjegon Alma Sulstarova, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Birësimit.

Shpjegimin e proceduara e vazhdon edhe psikologia e Komitetit Shqiptar të Birësimit,Ina Musaj : “Do të thotë konkretisht me pikëpyetjet që ata ngrenë, të të thënit fëmijë që është i birësuar. Çfarë do të thotë të birësosh një fëmijë të institucionalizuar, idealizmat që ata kanë lidhur me atë fëmijë, çfarë kanë imagjinuar, çfarë do të donin të kishin me realitetin konkret dhe një sërë çështjesh të tjera.”

Kështu veproi edhe çifti nga Fushë-Miloti në vitin 2020. Luli tregon se punon në një magazinë, ushqimore, ka një rrogë e gjithashtu merret me blegtori.

1642065865_familja11.jpg

“I kam mundësitë, kam pak tokë, jam njeri që punoj, nuk rri rrugëve, nuk rri lokaleve, nuk rri lart e poshtë. Shkoj tek puna, vrap në shpi, vrap me blegtorinë.shes djathin mishin frytin perime dhe kam të ardhura. Nuk jam milioner, nuk kam X5, s’hyj tek bosat por unë nuk jam një familje që nuk kam me çfarë ushqehemi, me çfarë mbahem.”-shprehet Lul Përdoda.

Jo vetëm ana ekonomike por edhe kushtet në shtëpi janë të rëndësishme. Edhe kjo është një kërkesë e plotësuar në listën e kushteve për të birësuar një fëmijë të braktisur nga prindërit biologjikë.

Dukej se gjithçka po ecte mbarë. Një vit pas aplikimit ata marrin një lajm të gëzueshëm në vigjilje të krishtlindjes.

“Kemi shkuar vjet me 19 dhjetor, na tha një grua keni lajm të gëzueshëm. Jeni në sistem, keni qenë të tretët ju kemi nxjerrë të parët. Për Krishtlindje e merrni. U gëzuam, kush na merrte në telefon i thonim kemi djalin dhuratë për krishtlindje”-tregon Gjyste Përdoda.

Menjëherë bashkëshortët nisin nga përgatitjet.

“Kemi blerë rroba, karrocë, kjo është karroca që kemi blerë, këto janë rrobat. Kemi blerë edhe byzylykun, na thanë do e merrni shpejt dhe kemi thënë do marrim byzylun për djalin. Keni vendosur edhe emër? Po, Gjonatan.” -tregon Gjyste ndërkohë që hap të gjitha rrobat dhe sendet personale të birit që presin.

Shpresuan se do ta festonin si një familje e plotësuar ndërrimin e viteve. Por nuk ndodhi kështu. Në dosjen Përdorda mungonte certifikata e pronësisë së shtëpisë të cilën bashkëshorti e siguron pa vonesë pasi përfaqësuesit e zyrës së ALUIZNI-t në Lezhë dëgjuan historinë e tij.

“Drejtori i ALUIZNI-t në Lezhë më tha, problemin që ke ti s’më ka ardhur njeri në këtë zyrë, ti qenke për tu falënderuar me gjithë shpirt, atë certifikatë tha, do të ta jap.”-thotë Lul Përdoda.

Dosja u plotësua. Por emocionet e pritjes janë zëvendësuar me dëshpërim.

“Jam mërzit me shpirt, kam 21 vite që jam i mërzitur, kam 3 vite që jam me lot në sy, për çfarë, për të bërë një gjest human, për të bërë birë në shpirt.”-shprehet i dëshpëruar Lul Përdoda.

Birësimi i një fëmije nuk është kaq i lehtë pavarësisht plotësimit të një dosjeje.

“Duhet që me vendim gjykate të jetë shpallur i braktisur. Kemi 43 fëmijë.” tregon Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Birësimit Alma Sulstarova sipas të cilës kërkesat për birësim janë rritur vitet e fundit, jo vetëm brenda por edhe jashtë Shqipërisë.

“Ka birësim vendas dhe ndërvendas. Vendas 48, çifte të huaja 91.

-Cilat çifte marrin prioritet?

-Familjet vendase. Kur një fëmijë refuzohet në 3 vende shpallet për birësim për çiftet ndërvendase.”

Birësimi ndërvëndas i besohet agjencive ndërmjetësuese që kanë një marrëveshje me Komitetin Shqiptar të Birësimit. Fillon me procesin e birësimit në vendin respektiv dhe kur shpallet çifti i përshtatshëm, dosja vjen në Komitetin e Birësimit.

Prej vitit 1994 deri më sot janë kryer gjithësej 1743 birësime prej të cilave 615 kanë qenë ndërvendase. Shtetet më shumë të interesuar për birësim në Shqipëri janë SHBA, Kanada, Itali, Francë, Greqi, por edhe Spanjë, Zvicër, Gjermani, Çeki, Maltë, madje edhe nga Qipro ka patur kërkesë.

“Zakonisht në rastin më të madh me birësime jashtë vendit, kanë qenë fëmijë me probleme shëndetësore. Ata janë më të hapur, kanë mundësitë ekonomike, por është edhe përgatitja psikologjike për të marrë fëmijë të tillë dhe për t’i kthyer në realitet. Jashtë vendit zakonisht birësohen nga çifte shqiptare që jetojnë nga një kohë të gjatë atje por edhe nga shtetas të huaj” shprehet kryetarja e Komitetit Shqiptar të Birësimit.

Mendje hapur kanë filluar të jenë edhe shqiptarët për birësimet. Por jo edhe aq ndaj ndryshimeve ligjore në Kodin e Familjes që janë propozuar nga Këshilli i ministrave. Në të parashikohet që çdo person mbi 21 vjeç mundet të birësojë ndërsa diferenca maksimale mes prindërve birësues dhe fëmijës nuk duhet të jetë më e madhe se 50 vite. Po ashtu edhe qytetarë beqarë që kanë dëshirë të bëhen prindër mund të birësojnë, por ka një kurbë prioritetesh.

“Baballarë të vetëm nuk kemi patur asnjë rast, nëna të vetme po. Prioritet ka çifti, nëna vjen më pas”shpjegon znj.Sulstarova.

Praktika gjyqësore e birësimeve para viteve 1990-të ka qenë më e konsoliduar. Familjet që birësonin nuk ishin plotësisht të hapura, madje jo rrallë herë linin vendbanimet për të mos u marrë vesh nga rrethi shoqëror që kishin birësuar një fëmijë të braktisur nga prindërit biologjikë.

Në vitet 1990-1991 nisën abuzimet me rastet e birësimit të fëmijeve nga shtetas të huaj, fenomen ky që u favorizua edhe nga mangësitë që kishte legjislacioni në ate kohë për birësimin ndërvendas. Më pas pati mjaft rregullime ligjore që sot kanë krijuar bazën më të mirë ligjore që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në kuadrin e legjislacionit të birësimeve dhe paralelisht filtrimin e këtij procesi në disa institucione vendase edhe të huaja që nuk lejojnë mundësinë e abuzimit dhe paralelisht të bërjes së gabimeve.

Sot familja e re ndiqet në dy vitet e para të bashkëjetesës nga Komiteti i Birësimit. Janë raportet post birësuese që përcaktojnë nëse fëmija i braktisur nga prindërit biologjikë duhet të qëndrojë në ambientin e ri.

“Janë 4 raporte post birësuese.Eksperienca ka treguar se janë mjaftueshëm.Tek prindërit singel jemi edhe më të detajuar, lidhur me jetën e tyre, objektivat e tyre”-shpjegon psikologia Musaj.

Sa më i vogël të jetë fëmija aq më mirë përshtatet. Një zgjedhje të tillë pëlqen edhe Familja Përdoda, por për ta më e rëndësishme është gjinia.

“Nuk kam vënë asnjë kusht, e kam kërkuar vetëm çun. E dua djalë. Dëshira ime është që ta marr të vogël, se fëmija është si lepuri, aty ku ushqehet, aty mësohet, aty ha e aty pi, kam dëshirë të më thërrasë babë.” shprehet Luli.

“Mbi 4 vjeç shihet një vështirësi lidhur me përshtatjen e tyre sepse e kuptojnë çfarë ndodh rreth tyre.” shpjegon psikologia Ina Musaj.

Ndërsa Lul Përdodaj tregon se është i gatshëm të marrë edhe një më të madh se 4 vjeç me kushtin që të asistohet nga një psikolog.

“Më tha drejtoresha para 2 muajsh, është një fëmijë në Elbasan 10 vjeç, a e merr? Nuk e ka marrë kush atë fëmijë tha, është i pashëm… unë do detyrohem ta marr i thashë, për këtë do ju ve kusht ju, do ju kërkoj ndihmë në Tiranë, me psikolog se ai fëmijë është i madh, është me dije, ai nuk është i vogël. Do i vijë dita që do ia tregoj unë. “

“Kjo përshtatje do më shumë kohë por jo se nuk arrihet”-sqaron psikologia e Komitetit Shqiptar të Birësimit.

Por nuk janë vetëm Luli dhe Gjystja që kanë kërkesa specifike. Alma Sulstarova pranon se i gjen gjerësisht në pëlqimet e shprehura të prindërve kandidat birësues.

“Zakonisht kanë, ky nuk është një institucion të plotësojë këto kërkesa.”

Një nga dokumentet që duhet dorëzuar në dosjen e prindërve kandidat për birësimin e një fëmije është edhe gatishmëria që tregon rrethi familjar i çiftit për të pranuar anëtarin e ri të familjes. Në të shumtën e rasteve duket se kjo mbështetje mungon.

“Akoma nuk mund të themi që është një mbështetje e plotë sepse kemi shumë çifte që nuk e kanë këtë mbështetje. Por me kalimin e viteve ka ndryshuar ky mentalitet.”-sqaron psikologia Ina Musaj.

Lul Përdoda i ka thirrur familjarët e tij që në momentin e parë që mori vendimin për të birësuar një fëmijë.

“Ata thanë ti s’ke pasur nevojë të na pyesje fare për këtë çështje, jemi dakord, ta pafshim atë fëmijë sa më shpejt në oborr. Do i themi hajde ke xhaxhi hajde ke vëllai. Ma kanë miratuar”- tregon Lul Përdoda.

Psikologia Ina Musaj shkon edhe më tej me shpjegimet mbi përshtatjen e fëmijës me familjen birësuese:

“Mundohemi të përshtatim deri në tipare fizike që fëmija të ndihet që i përket atyre.”

Numri më i lartë i birësimeve prej vitit 2013 deri më sot është regjistruar në vitin 2014, me 67 praktika birësimesh, nga të cilat 25 jashtë Shqipërisë. Ndërsa në vitet 2019-2020 janë kryer proceduarat e vetëm 26 birësimeve të fëmijëve të braktisur nga prindërit biologjikë.

Një fëmijë i kërkuar për birësim mbi të gjitha duhet të gjejë në familjen e re dashurinë, kujdesin prindëror, ambientin e munguar familjar. Çifti Përdoda shkon përtej këtyre kërkesave. Ata shprehen të gatshëm të sakrifikojnë për të nëse është nevoja.

“Do betohem para Zotit se do heq mishin e trupit dhe do ia jap atij fëmije. Koha do e vërtetojë këtë fjalë që po them sot.”shprehet Lul Përdoda.

Jo çdo fëmijë ka merituar të rritet nga prindërit biologjikë. Janë keqtrajtuar, dhunuar e braktisur nga ata që i kanë sjellë në jetë. E ardhmja e këtyre fëmijëve është e pasigurt. Ata përfundojnë në rrugicat shpesh herë pa krye të jetës, në rastin më të mirë në 9 Institucione të Përkujdesit Shoqëror (IPSH) publikë për fëmijë, 18 jopublike dhe 5 qendra zhvillimi për Personat me Aftësi të Kufizuar.

Gjyste dhe Lul Përdoda thonë se janë të dëshiruar për të marrë në krahë një fëmijë që ka nevojë për familjen pavarësisht gjeneve të ndryshëm. E duan bir në shpirt e si pasardhësin e tyre të vetëm.

“Këtë certifikatë (të pronësisë) unë lus që ai fëmijë ta marri mbi veten e vet. Unë jam rrugëtar i jetës për të kaluar për të ikur edhe ai fëmijë ta gëzojë këtë certifikatë.”

Viti 2022 mund të jetë i shumëprituri për ta. Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Birësimit u jep një lajm të mirë:

“Çifti ka aplikuar në vitin 2020 nuk është kohë shumë e madhe që është në pritje. Është çështje kohe, kemi lajm të mirë, kemi një numër fëmijësh që janë në procese gjyqësore për të dalë të braktisur kështu që besoj që shumë shpejt edhe ata do të gëzohen me një fëmijë”

Koha ka treguar se prind bëhet ai që të rrit, ai që të udhëzon cilën rrugë të marrësh e mbi të gjitha ai që të jep dashuri pa kushte. Dhe Gjyste nuk ka ndërmend të heqë dorë deri sa të përjetojë ndjesinë e të qenit nënë.

“Deri në vdekje nuk dorëzohem!” thotë Gjyste Përdoda e përlotur.K.T.//ReportTv.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button