“Ta nxjerrim Bashën nga zyra” – si u organizua në rrjetet sociale protesta e militantëve demokratë

0
94

Ka qenë një mëngjes i vështirë sot për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha , vetëm disa orë pasi ai kishte marrë vendimin më të rëndësishëm të jetës së tij; duke përjashtuar nga grupi i deputetëve liderin historik të partisë, Sali Berishën.

Pas tensioneve që shoqëruan marrjen e vendimit në mbrëmjen e djeshme, Basha u përball me sharje e ofendime në derën e selisë së partisë. Vendimi i Bashës i komunikuar pa asnjë kosnultim me strukturat e partisë ka ngjallur shumë zemërim në radhët e kësaj partie, ku ish-kryetari Berisha vijon të ketë shumë ndikim.

Newsbomb.al mëson se në rrjetet sociale ka nisur që mbrëmë në darkë organizimi kundër Bashës.

Disa grupe në facebook ku janë grumbulluar simpatizantët e Berishës u hodh ideja që të nesërmen të protestohej kundër Bashës.

“Të shkojmë ta nxjerrim nga zyra” – shkruante një militant demokrat. Të tjerët kanë vërshuar me meme ku vihej në lojë Basha dhe himnizohej ish-kryetari Berisha.

Disa simpatizantë të Berishës e pritën Bashën me sharje; “Je injorant, je i pavlerë, je tradhëtar”, ndërsa ai i heshtur u nis për në Kuvend.

Ndërsa dhjetra të tjerë e pritën Sali Berishën para selisë së Kuvendit. Bashkë me militantët që ishin zhgënjyer nga ky vendim i papritur ishin dhe tre deputetë të vjetër të kësaj partie, Dritan Shehu, Edi Paloka dhe Flamur Noka.

Bashës dhe deputetëve të tjerë iu desh të futeshin nga ana tjetër e Kuvendit që të mos përballeshin me turmën e irrituar të demokratëve që mbuluan me lule makinën e idhullit të tyre demokrat.

Kryedemokrati nuk ka preferuar t’i hedhë benzinë zjarrit dhe nuk ka komentuar lëvizjen kundër tij brenda partisë. Por ai nuk mund t’i fshihet asaj që po ndodh tashmë, një kryengritjeje kundër tij jo vetëm në rrjetet sociale, por dhe brenda strukturave drejtuese të partisë, ku Berisha ka besnikët e tij.