Tritoli në makinën e punonjësit të policisë, mesazh paralajmërues ndaj tij, lënda plasëse u vendos…

0
120

Një shpërthim me tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen 17 të qytetit të Durrësit, ku objektiv ka qenë makina e një punonjësi të policisë.

Për ngjarjen ka disa persona të shoqëruar, ndërsa policia bën me dije se mjeti që ka qenë i parkuar pranë banesës ka dëme të pjesshme.

Grupi hetimor që ka mbërritur në vendin e ngjarjes po punon për zbardhjen e shkaqeve, dhe nëse rasti ka të bëjë me detyrën që ka punonjësi i policisë.

Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga Fax News, mjetit i është vendosur tritol në pjesën e pasme të tij, dhe ngjarja duket më së shumti si një mesazh paralajmërues ndaj punonjësit të policisë.

Grupi hetimor ka marrë kamerat e sigurisë të bizneseve pranë zonës ku ishte makina e parkuar, ndërkohë që të shoqëruarit janë persona që mund të kenë qenë dëshmitar të shpërthimit të mjetit./(E.K/Faxweb.al)

Njoftimi i policisë:

Më datë 03.09.2021, rreth orës 06:25, në lagjen nr.17, Durrës, dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse në mjetin e parkuar para banesës, në pronësi të shtetasit L. K.,(punonjës policie), nga e cila ka vetëm dëme të vogla materiale.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa persona që dyshohen që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.