HomeLajme“Vetëm desha me ditë a është gjallë”, djali i shoferit që humbi...

“Vetëm desha me ditë a është gjallë”, djali i shoferit që humbi jetën në Bullgari rrëfen mes lotësh momentin kur mori vesh për aksidentin

Aksidenti tragjik që ndodhi mëngjesin e së martës në Bullgari, mori 45 jetë njerëzish. Mes tyre ishin edhe 12 fëmijë, 5 prej tyre të mitur.

Në këtë aksident në të cilin një autobus u përfshi nga flakët, arritën të shpëtonin 7 persona, të cilët ishin të ulur kryesisht në pjesën e fundit të autobusit, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

Aksidenti i mori jetën edhe dy shoferëve. Djali i njërit prej tyre rrëfen për “Alsat” momentin kur mori vesh që babai i tij ka vdekur.

Mes lotësh, ai thotë se ka tentuar të bisedojë me babain, por që i njëjti nuk i ka hapur telefonin. Ai rrëfen se pastaj ka parë në portale aksidentin dhe aty e ka marrë vesh që ka qenë edhe babai i tij në atë autobus.

“Prej atij momenti nisem në Bullgari. Shkoj direkt në spital. Vetëm desha me ditë a është gjallë apo jo. Te spitali më dhanë listën me pa a është babi im. Listën e pash dhe nuk ishte babi im në listë. Dhe aty e mora që ka ndërruar jetë. U nisa për në shtëpi”, thotë ai teksa qante.

Ai po ashtu tregoi edhe bisedën e fundit që kishte pasur me babain e tij.

“Kishte me e pru një bicikëll për qikën tem të voglën edhe pikërisht na e lypi momentin e fundit, tha ni foto ti edhe qiken teme. Unë ia dërgova dhe i kërkova edhe foton me pa bickllen e qikës. Foto është këtu, por nuk mundi të ardhte asnjëri. Unë e qova amanitin në fund dhe bicikllën qikës ja kam dërgu vetë”, rrëfeu ai mes lotësh. /Reporteri.net/

Must Read

spot_img