HomeLajmeVetting për politikanët, të zbardhen pasuritë duke filluar nga Lalzi e deri...

Vetting për politikanët, të zbardhen pasuritë duke filluar nga Lalzi e deri në Panama

Nga Jakin Marena

Reforma në Drejtësi e vettingu i gjyqtarëve, prokurorëve dhe i policisë shtetit në Shqipëri janë në rrugën e duhur.

Këtë fakt e kanë pranuar dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, që i kanë renditur ndër kushtet e plotësuara për hapjen e bisedimeve të pranimit me familjen europiane, duke besuar fort se me gjithë hapin e ngadaltë, rezultatet e para janë të dukshme.

Disa prej dosjeve të rënda të krimit dhe korrupsionit janë “ristartuar” dhe janë duke u rihetuar, ku në një të ardhme jo fort të largët në dyert e drejtësisë së re pritet të nisin procese të mëdha duke filluar me tragjedinë e Gërdecit, vrasjet e demonstruesve më 21 janar, afera miliona euroshe CEZ-DIA por dhe marrëdhëniet koncesionare, pa dallim mes krahëve politikë të qeverisjes.

Janë dosje të rënda që peshojnë fort dhe askush nuk beson se janë bërë thjeshtë dhe vetëm nga zyrtarë të mesëm që kanë hedhur firmat e tyre fatkeqe në këto letra, por me urdhër politik.

Vendimi më i fundit i i DASH që shpalli person “non grata” ish kryeministrin demokrat Sali Berisha për shkak të aplikimit të korrupsionit të madh në qeverisjen e tij, me qëllim përfitimi për familjarët dhe aleatët dhe minimin e demokracisë e të institucioneve ligjzbatuese për të mbuluar zullumet e kryera, ka shërbyer si mbështetje për SPAK dhe Gjykatën Speciale shqiptare për t’u shkuar deri në fund hetimeve e gjykimeve dhe për zyrtarët e lartë.

Dënimi dhe konfiskimi i pasurisë së ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, dhe ky i shpallur “non grata”, është një shembull konkret për këtë çlirim të drejtësisë nga kapja e politikës dhe e krimit.

Ndërkohë që letra e presidenti amerikan Joe Biden që e shpallte prioritet dhe me rëndësi për sigurinë kombëtare të SHBA luftën kundër korrupsionit dhe pasurimit të paligjshëm jo vetëm në vendin e demokracisë më të madhe në botë por dhe në vendet e tjera aleate, është një shtysë më tepër për të kaluar në nivelin tjetër të lartë: Dhënies fund të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë në Shqipëri.

Shembujt në rajon janë! Rumania e bëri vite këtë akt më parë dhe po vijon, duke futur në burg ish ministra, ish kryeministra e ish presidentë. Kroacia burgosi për shumë më pak përfitim ish kryeministrin Ivo Sanadar, njeriun që përgatiti hyrjen e këtij vendi në BE.

Po kështu, ish kryeministri maqedonas Nikola Gruevski është në kërkim, me dosje të kopsitur që e lë për një kohë të gjatë në burg, pavarësisht azilit të përkohshëm në Hungari. Mund të vijojmë me Serbinë apo dhe me Malin e Zi.

Tani ka ardhur koha që dhe drejtësia shqiptare të japë goditjen e saj, pas ngritjes së institucioneve të reja si SPAK, “FBI’-ja shqiptare dhe Gjykata Speciale, si dhe mbështetjen e pakursyer të SHBA dhe BE.

Dhe duhet ta fillojë pikërisht me politikanët e këtyre 30 vite që dolën nga komunizmi me pantallona doku kinez dhe tashmë nuk dinë ku i kanë pasuritë.

Duhet të fillojë menjëherë vettingu për politikanët, pasi drejtësia dhe policia janë në përfundim të këtij procesi dhe shumë prej tyre deri në institucionet më të lartë të gjyqësorit dhe të prokurisë janë përjashtuar një sistemi. S’kanë justifikuar pasurinë e tyre.

Situata bëhet më e lehtë pasi të paktën publikisht pro vettingut të politikanëve janë si mazhoranca ashtu dhe opozita. Themi në parim pasi kanë këndvështrime të ndryshme!

Lulzim Basha, kreu i rikonfirmuar i PD është shprehur që para tre vitesh për vettingun e politikanëve. “Që situatë e korrupsionit dhe krimit në Shqipëri të marrë fund, nuk mjafton thjesht dhe vetëm vettingu i politikanëve të korruptuar e të lidhur me krimin, por një aksion i fuqishëm politik dhe një aksion i fuqishëm popullor janë të domosdoshëm për një përballje dhe fitore të shoqërisë mbi krimin e lidhur me politikën dhe pushtetin e bërë njësh me krimin”, deklaroi Basha në atë kohë.

PD propozoi 7 amendamente për vettingun e politikanëve, që ia bashkangjiti ndryshimit të vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por me një “kleçkë”! Amendamentet e propozuara nga PD përjashtojnë familjarët e politikanëve nga verifikimit i ligjshmërisë së pasurisë.

Sipas logjikës së PD një politikan që ka kontaktet me krimin duhet të largohet nga politika, ndërsa një politikan që ka fshehur pasurinë në emër të familjarëve duhet të qëndrojë. Propozimi i PD për Vettingun e politikanëve zhvendos në plan të dytë.

Basha përjashton jo vetëm Kunatin e tij të famshëm që përfiton nga të gjitha anët para, por dhe veten si politikan që në një vit e gjysmë krizë pasojash posttërmetit dhe pandemisë ka blerë katër vila bashkë. Bashkë me Kunatin, dy vila në zonën më të shtrenjtë të Tiranës e dy në Hamallaj.

Thjeshtë duke qënë rrogtar bashkë me gruan, nuk kemi zyrtarisht biznes të deklaruar prej tyre dhe kursimet e para 16 viteve nga puna si punonjës të UNMIK-ut duhej të ishin sosur tashmë.

Basha me idenë e tij për vettingun e politikanëve që kanë të afërm kriminelë, duke përjashtuar ata që kanë përvetësuar paratë e shtetit në këto 30 vite nuk shpëton vetëm veten, por dhe ish kryeministrin Sali Berisha, familja e të cilit akuzohet se ka miliona euro pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Nga Vila në Lalz, pallatet në Tiranë, tokat në bregdet, pallatet e dhëndërrit dhe vajzës Argita në Tiranë, apo deri tek biznesi i boronicave të Shkelzenit në Gërdec!

Po ashtu dhe presidentin aktual Ilir Meta, të cilit një banesë në Golem me vlerë 60 milionë lekë i “polli” pas dy tre vitesh plot 300 mijë euro, apo Monika Kryemadhit që një dhuratë 5 milionë lekë nga vëllai i saj, i “polli” vilën në Gjirin e Lalzit me vlerë mbi 2 milionë euro, pallatet në Tiranë e deri te pasuri të tjera të deklaruara dhe të padeklaruara brenda e jashtë vendit.

Nuk po i shpikin ne këto fakte, janë akuzat që Berisha, Meta, Basha dhe lidershipi opozitar i kanë bërë njëri tjetrit ndër vite. Madje janë akuza të freskëta, disa të këtij muaji fushate!

Ne thjeshtë po japim disa prej tyre, pasi është drejtësia që duhej t’ju hyjë me themel. Bashën e akuzuan dhe kritikët politikë të larguar nga PD apo që janë brenda aktualisht në PD. I përmendnin në çdo moment vilat e përfituara si një “pakt” me oligarkët që i ka sulmuar aq fort.

Por vettingun e politikanëve e ka kërkuar dhe ish presidenti Bujar Nishanit së fundmi, i cili në ndryshim nga Basha kërkon që të përfshijë tërë “pemën” familjare dhe për korrupsion.

“Një muaj fushatë nuk folëm dhe denoncuam me dhjetëra raste korrupsioni dhe hajdutërie, nuk folëm. Çfarë të bëjmë për të kthyer besimin e njerëzve? Parlament ligji i parë; Vetting, hetim dhe konfiskim i çdo luge dhe piruni që ke t’i ke shtëpia si politikan, që nuk e justifikon me paratë që ke marrë në gjithë këto vite.

Dhe jo vetëm këta që janë atje, por çfarë kanë qenë, president, kryeministër, ministër deputet, çfarë kanë qenë në 10 vitet e fundit. Nuk e miraton Edi Rama? Referendum.

Që kush kanë qenë 10 vitet e fundit njerëz që kanë pasur pushtet, të gjithë në skaner dhe kush nuk e justifikon shtëpinë, llogarinë bankare apo makinën, konfiskim. Po e bën Kosova sot. Të bëhesh vetë pasqyrë dhe objekt i verifikimit të dalësh vetë i pari në dritën e diellit”, tha Nishani, disa ditë më parë, teksa sulmonte Lulzim Bashën për manipulimin e votës për kryetar!

Dhe mazhoranca socialiste është dakord për vettingun e politikanëve duke kërkuar verifikimin e pasurisë së tyre dhe të afërmëve që janë bërë të pasur prej aksesit nga politika.

Programi i PS në kapitullin për drejtësinë përcakton: “Pas përfundimit të vetingut të gjykatësve e prokurorëve, do të përshpejtojmë procesin e vettingut të Policisë së Shtetit dhe fillojmë procesin e padëshiruar nga askush tjetër, atë të vettingut në politikën shqiptare”.

Ndërsa grupi parlamentar i PS refuzon projektin e kryetarit të PD, Lulzim Basha për vettingun e politikanëve. Kreu i grupit Taulant Balla e ka konsideruar të dështuar propozimin e kryetarit të opozitës pasi nuk përfshin hetimin e familjarëve.

Dhe “vulën” ia vë kryeministri Edi Rama, i cili teksa e pranon propozimin e Bashës në parim për vettingun e politikanëve thotë: “Sa më parë! Gjithnjë gati të diskutojmë me PD. Palët reagojnë pozitivisht dhe pritet që PD dhe opozita e bashkuar të parashtrojnë nisma ligjore për vettingun në politikë, të ngjashëm me atë të drejtësisë. Dakordësi në kulmin e tensionit…

Me një drejtësi të pastruar përmes Vetingut, s’do ketë më as në këtë vend shteg për politikanët që t’i ikin drejtêsisë. Dhe çdo ide tjetër për të rritur llogaridhënien e politikanëve është për ne e mirëseardhur. Gjithnjë gati të diskutojmë me PD”!

Pra të gjithë janë dakord, në një formë apo tjetër për vettingun e politikanëve. Mjafton që të bëjnë një “inventar” të të gjitha pasurive që kanë ‘mbirë’ në Gjirin e Lalzit, zonën më të shtrenjtë të Tiranës, në vijën bregdetare, ku ish ministra dhe ministra apo ish zyrtarë e zytarë kanë vilën e tretë, të kryqëzojnë të dhënat dhe të hetojnë rigorozisht. Vetëm vullnet duhet!

Faktet janë! Një tentativë bëri një media në Lalz, dhe megjithëse kishte një forcë mbrojtëse private sa numri i Gardës së Republikës që nuk të lejonte të bëhej një hap në “bllokun” e ri të udhëheqësve të rinj, prap dolën pamje, emra dhe figura politikanësh që kishin vila aty!

Të fillojnë nga aty, të hyjnë dhe në rrjetin social apo në media dhe të shohin se si kanë postuar foto duke u relaksuar në vilat e tyre, se shqiptari bën çbën dhe e reklamon pasurinë, pasi kërkon të demonstrojë fuqi, potencë dhe dominim. Por të shihen dhe deklaratat e pasurisë!

Ndërkohë që media jep çdo ditë kronika vrasjesh, mes të cilave dhe vëllai me vëlla për një copë tokë, një metër hapësirë banese apo pak lekë, vjehrri vret dhendërrin apo anasjelltas, është e habitshme kur në deklaratat e pasurisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë sheh dhurata nga më të çuditshmet.

Shihen që të gjithë të afërmit e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, deri në brezin e tretë janë të pasuruar, menjëherë pas ngjitjes në pushtet të “pinjollit” të tyre, sheh që vëllai bën dhuratë deri në 100 mijë euro për vëllain, motrën apo anasjelltas, vjehrri dhuron mijëra metra tokë turistike, mijëra euro për dhëndërrin, e deri tek baxhanakët që bëjnë dhurata po mijëra eurosh për njëri tjetrin. Apo kunetërit e famshëm, që kanë marrë situatën pasurore në dorë tashmë!

As në filmat me subjektet më pozitive nuk i sheh veprime të tilla, me kaq dashuri të madhe vëllazërore, prindërore, miqësore, kunatore dhe baxhanakore, që “pjellin” miliona euro dhurata.

Duhet një vetting për të gjitha, jo vetëm për politikanët, por dhe për ata që me letra janë pronarë të këtyre pasurive, të cilët s’kanë pasur as kanë brekë në bythë por zotërojnë miliona euro pasuri.

Ka dhe një kontigjent tjetër që nuk u ka thënë askush “puna e mbarë” dhe s’dihet se çfarë bëjnë në jetën reale, por që posedojnë vila e shtëpi në zonat më të shtrenjta të kryeqytetit, në tërë vijën bregdetare dhe qytetet turistike, pavarësisht se vijnë nga zona me trashëgimi prone zero!

Shteti i ka organet e saj ligjzbatuese jo thjeshtë dhe vetëm verifikuese të deklaratave të pasurisë që këta njerëz nënshkruajnë, por dhe hetuese, shtrënguese dhe bllokuese.

Diku është një marrëveshje jo xhentellmenësh mes atyre që posedojnë në të vërtetë pasurinë dhe atyre që e kanë ngarkim kundrejt një pagesë mujore të majme. Me se mbahen tjetër zyrat avokatore që kanë “mbirë” si kërpurdhat më shumë se se numri i popullsisë së deklaruar në censusin e fundit. Me këto lekë mbahen.

Duhet një Vetting i plotë, dhe jo se nuk e dinë organet tona verifikuese që kanë “certifikuar” pasurinë e mijëra zyrtarëve shqiptarë gjatë gjithë këtyre viteve, që papritur kur lanë detyrat shpërthyen në vila dhe ngritën biznese.

Një hetim shterrues dhe për paratë e hedhura në parajsat fiskale, që nga Qipro, Panamaja, Londra e deri në ishujt Kayman! Vendimi i presidentit amerikan Binden është një mbështetje e fortë, por dhe marrëveshjet e konventat e nënshkruara nga shteti shqiptar që zbardh emrat e jorezidentëve që kanë depozituar para në parajsat fiskale! Apo emrat e pronarëve që investojnë këto para!

Shanset janë pro zbardhjes së pasurisë së zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Madje BE ka menduar deri në detaje, dhe ndërtimin me paratë e veta të një burgu me parametra bashkëkohore në Reç të Shkodrës. Mbështetje me “cikël të mbyllur”. Duhet vetëm pak vullnet politik!/JavaNews.al

Must Read

spot_img