Vrau ish-gruan, Gjykata lë në brug Elton Metën: Vjehrri më kërcënonte! Report Tv zbardh vendimin, si u lirua nga burgu 2 muaj më parë për t’u shtruar në spital psikiatrik! Ekspertizat e dyshimta

0
57

Elton Meta ish burri vrasës i Sabrina Bengës është lënë në burg. Vrasja e 23 vjeçares nga ish bashkëshorti hedh dyshime mbi sistemin e drejtësisë. Report Tv ka zbardhur kërkesën e prokurorisë, vendimin e gjykatës së Fierit për ndryshimin e masës së sigurisë për Elton Metën dhe ekspertizat mjekoligjore që çuan në këtë vendim

Elton Meta ish burri vrasës i Sabrina Bengës është lënë në burg. Kallashnikovin me të cilin qëlloi pas shpine ish gruan, burri vrasës thotë se e kishte blerë për vetëmbrojtje sepse ishte kërcënuar nga ish vjehrri, ndonëse nuk ka bërë denoncim të tillë. Vrasja e Sabrina Bengës nga ish bashkëshorti i liruar nga burgu 2 muaj para krimit të rëndë, hedh dyshime mbi sistemin e drejtësisë. Report Tv ka zbardhur kërkesën e prokurorisë, vendimin e gjykatës së Fierit për ndryshimin e masës së sigurisë për Elton Metën dhe ekspertizat mjekoligjore që çuan në këtë vendim.

Vrasja e 23-vjeçares është rrjedhojë e vendimmarrjeve të prokurorit Çlirim Sina dhe gjyqtarit Piro Sota, të cilët i hapën derën e burgut Elton Metës në 26 korrik 2021, pasi ishte arrestuar dhe izoluar si një rrezik potencial për vrasje.

Sipas vendimit ai u prangos për armë mbajtje pa leje, kundërshtim të policisë dhe dhunë në familje, por akuzat ndaj tij u pushuan gjatë gjykimit duke qenë se të afërmit e tij depozituan shkresa që sipas tyre vërtetonin problemet e tij mendore. Shkresat e konfirmuara nga mjekësia ligjore të depozituara nga familjarët e deklaruan atë të paaftë mendërisht. Pas kërkesës së prokurorit Çlirim Sina në janar, për ta larguar 31-vjeçarin nga paraburgimi i Fierit drejt spitalit të burgut të Zaharisë në Krujë, Piro Sota ka vendosur mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor të Elton Metës. Nga arrest në burg ndryshimi i masës së sigurisë nga Gjykata është bërë për shtrim të përkohshëm në një spital psikiatrik, me argumentin se ka probleme të shëndetit mendor ndonëse ekspertizat mjekoligjore ishin të dyshimta.

“Nga përmbajtja e aktit të ekspertimit psikiatriko ligjor ka rezultuar se Begaj vuan nga një sëmundje mendore dhe nuk është i përgjegjshëm para ligjit”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Gjykatës.

Por vetëm 5 muaj më pas, i njëjti gjyqtar, Piro Sota, mbi një kërkesë të avokatit të Elton Metës, Kujtim Cakrani, vendosi daljen nga spitali i burgut të Zaharisë, dhe mjekimin e detyruar ambulator në kujdesin e babait.

Report Tv ka zbardhur edhe ekspertizat mjekoligjore mbi të cilat ku u bazua gjyqtari Piro Sota për këtë vendimet që i morën jetën një 23-vjeçareje, që ndër të tjera ishte me urdhër mbrojtje deri në tetor të vitit 2021. Pra provë kanë qenë raportet e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Nëse në rastin e parë, ishte prokurori Clirim Sina që kërkoi rehabilimin në spital psikiatrik, herën e dytë ishte avokati Kujtim Cakrani që kërkoi daljen e të riut nga spitali. Këtu, gjyqtari Piro Sota caktoi të tjerë ekspertë të Instititut të Mjekësisë Ligjore, që sëmundjen e Metës e çuan në nivelin e kujdesit në shtëpi.

Në shtator të 2020-ës u deshën 5 orë negociata me policinë, që 31-vjeçari Elton Meta të lëshojë nga duart kallashnikovin që i kishte vënë vetes duke kërcënuar se do të vetëvritej, në oborrin e shtëpisë së ish-bashkëshortes së tij, pasi i kishte terrorizuar familjarët. Por mbrëmjen e këtij 10 shtatori, nga arma automatike dolën plumba që i morën jetën nënës së vajzës së tij, Sabrina Bengaj, 23-vjeç. Ishte ora 22:50 kur Elton Meta i shkoi sërish në shtëpi në fshatin Zhupan. Xhelozia, apo fakti që nuk e linte të takonte të bijën, e çuan sërish të nervozuar Elton Metajn në derën e shtëpisë së vjehrrit të tij.

Ndonëse ka qenë arrestuar edhe më herët për dhunë në familje, e ndjera, për hir të vajzës së vogël, kishte duruar dhunën psikologjike e fizike të bashkëshortit të saj. Vëllai i viktimës, Armando Bengaj thotë se Eltoni kishte kërcënuar edhe vetë atë për ta vrarë, ndërsa gishtin e fajit ia drejton gjykatësve dhe prokurorëve që nxorrën nga burgu njerëz të tillë. Vetëm një ditë pasi Elton Meta vrau i ish bashkëshorten Sabrina Bengaj, gjyqtari që e kishte liruar nga burgu, Piro Sota, është përjashtuar për 15 vjet nga drejtësia shqiptare.