Lajme

Zbardhet dinamika e ekzekutimit në lokal/ Pas dëfrimit me muzikë live, emigranti vret me kallash 51-vjeçarin (EMRAT)

Advertisements

SENAD NIKSHIQ/ Dëfrimi i një nate me muzikë “live” në një lokal në fshatin Shelqet të Bashkisë së Vaut të Dejës përfundoi me një ngjarje tragjike.

Agron Hasani, 51 vjeç teksa po merrte automjetin e tij për të ikur në shtëpi pasi muzika u mbyll, mbeti i vrarë nga një i njohur i tij. Autori i dyshuar për policinë është shtetasi Alfons Palushani, 37 vjeç, një emigrant me qëndrim në Angli, pushimet e të cilit u mbyllën duke qëlluar me armë zjarri automatik kallashnikov ndaj të njohurit të tij.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 23 gushtit në oborrin e lokalit. Më përpara viktima dhe autori i dyshuar kishin shkuar për të dëgjuar muzikë “live” dhe gjatë qëndrimit aty kanë nisur që të fyejnë njëri-tjetrin. Fyerjet kanë agravuar duke krijuar kështu një konflikt të ashpër mes tyre.

Në këtë mënyrë, 37- vjeçari Alfons Palushani është larguar nga lokali dhe në atë moment viktima ka menduar se nuk do të kthehet më ndaj edhe ai pas pak minutash ka marrë automjetin për t’u larguar në banesë rreth orës 3 të mëngjesit kur muzika ka mbaruar.

Në atë moment është shfaqur 37- vjeçari Palushani i cili dyshohet se ka qëlluar pa mëshirë me breshëri plumbash duke mos i dhënë asnjë mundësi që të shpëtojë i gjallë shtetasit Agron Hasani. 51-vjeçari mbeti i vrarë në vend ndërsa autori i dyshuar menjëherë pas ngjarjes së rëndë është larguar në drejtim të paditur. Pas breshërive të automatikut që pasuan me një vrasje atë mbrëmje muzikore në fshatin Shelqet të Vau Dejës, në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie.

“Nga veprimet e shpejta dhe hetimet paraprake të kryera nga Policia, dyshohet se konflikti për motive të dobëta ka nisur në lokalin e fshatit dhe menjëherë shtetasi A.P., ka shkuar në banesë ka marrë armën e zjarrit kallashnikov dhe në momentin që shtetasi A.M. ka hipur në automjetin e tij për t’u larguar shtetasi A.P. e ka qëlluar me armë zjarri”, tha policia.

AUTORI DHE VIKTIMA TË DEHUR

Përveç trupit të pajetë të viktimës i bërë shoshë nga plumbat, policia gjeti aty edhe pronarin e lokalit, i cili nuk ishte larguar ende. Burime nga vendngjarje bëjnë me dije se autori i dyshuar Alfons Palushani dhe viktima Agron Hasani kanë qenë të dy të dehur nën efektin e alkoolit.

Në pije e sipër këta dy shtetas gjatë gjithë mbrëmjes me muzikë “live” në lokalin e fshatit Shelqet kanë ngacmuar njëritjetrin me fjalë duke kaluar më pas në fyerje e duke përfunduar me një debat të ashpër. Kjo ka bërë që 37-vjeçari të largohet për të marrë armën në banesën e tij që ndodhet jo shumë larg nga lokali dhe të rikthehet duke lënë të vrarë 51- vjeçarin.

Pronari i lokalit mësohet se ka treguar për Policinë rreth debatit mes dy personave të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

SHOQËRIMET

Ndërkohë Policia Vendore e Shkodrës ka bërë të mundur shoqërimin në komisariat të personave të tjerë që ndodheshin në lokal të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre rreth vrasjes së ndodhur.

Nga ana tjetër policia ka ngritur grupe kontrolli dhe po bën krehjen e gjithë zonës për të arritur në kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje, shtetasin Alfons Palushani.

Advertisements

37-vjeçari pas vrasjes është larguar në drejtim të paditur dhe nuk është arritur ende arrestimi i tij. Policia vijon hetimet për të zbardhur të plotë vrasjen.

Advertisements

Related Articles

Back to top button