Zbulohen detaje nga aksidenti i rëndë në Qafë Muzinë. Furgoni shmangu përplasjen me Fuoristradën që drejtohej nga një grua

0
54

Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur këtë pasdite në Qafë Muzinë, ku humbën jetën katër persona, ndërsa dyshohet se ka ende pasagjerë të bllokuar brenda furgonit, që ka përfunduar në greminë.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “Balkanweb” se policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka zbardhur skemën e aksidentit të tmerrshëm.

Kështu, referuar burimeve policore nga vendngjarja, gazetarja Bezat raporton për “Balkanweb” se dyshohet që mjeti tip furgon është përplasur me një Fuoristradë, që qarkullonte në kah të kundërt të rrugës. Furgoni, për të shmangur përplasjen, ka devijuar dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në greminë.

Frugoni është përplasur me një mjet tip “Land Rover”, që drejtohej nga një grua, e cila ka mbetur e lënduar, por që ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, gazetarja bën me dije se është ndërhyrë me sharrë elektrike për thyerjen e dyerve të furgonit, për nxjerrjen e viktimave dhe pasagjerëve të bllokuar.

Paraprakisht, bëhet e ditur se furgoni ka rënë në një greminë mbi 50 metrash dhe është përmbysur, duke vështirësuar nxjerrjen e viktimave dhe pasagjerëve të tjerë.